Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) të kryesuar nga Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi u pritën në takim nga Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj.
Problemet me vendimet e inspektorëve të ATK-së gjatë kontrollave tek bizneset, organizimi i lojrave shpërblyese dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me TVSH-në ishin ndër temat kryesore të këtij takimi.
Krasniqi përgëzoi Murtezaj për pozitën e re, duke shtuar që shpreson se ky bashkëpunim të vazhdoj ashtu siç ishte edhe me ish-drejtorin Imeri, pasiqë konsiderohet i domosdoshëm në mënyrë që të arrihet zgjidhja e problemeve me të cilat bizneset po përballen.
Krasniqi theksoi disa nga çështjet që bizneset anëtare kanë adresuar për ATK-në, ndër të cilat janë largimi i pagesës së TVSH-së në kufi dhe mos ngarkimi i biznesit me TVSH për faturat e shitjes që nuk janë inkasuar.
Organizimi i lojrave shpërblyese pas shfuqizimit të Ligjit për Lojrat e Fatit është një çështje që po shqetëson bizneset ditët e fundit, e për të cilën dëshirojnë të informohen më detajisht nga ju, shtoi Krasniqi.
Lulzim Gashi pronar i “Bel – Kos” SH.P.K. informoi më gjerësisht lidhur me problemin e tij nga një vendim i marrë nga inspektori gjatë realizimit të kontrollës.
Drejtori Murtezaj theksoi që parim kryesor i të gjithë personelit të ATK-së është të konsiderojnë të gjithë tatimpaguesit në mënyrë të barabartë. Sipas tij pagesa e TVSH-së, rregullohet me ligjin e ri të TVSH-së dhe pastaj mund të nxirren akte nënligjore, mirëpo ende nuk ka kaluar në Parlament.
Ndërsa sa i përket organizimit të lojrave shpërblyese Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Hamdi Hoxha informoi që organizimi i tyre ka qenë i rregulluar me Ligjin e Lojrave të Fatit, i cili është shfuqizuar me aprovimin e Ligjit për Ndalim të Lojrave të Fatit. Hoxha shtoi që momentalisht nuk ekziston ligji përmes së cilit rregullohet organizimi i tyre, arsye për të cilën ATK nuk lejon një organizim të tillë.
Në fund të këtij takimi, Kryetari i Bordit të OAK-së ftoi Drejtorin Murtezaj në takim në odë së bashku me bizneset.
ATK në këtë takim u përfaqësua nga: Drejtori Ismet Murtezaj, Zv.drejtori i Përgjithshëm Hamdi Hoxha dhe Menaxheri i Lartë i Zyrës Ekzekutive Nikson Mirdita.
Oda e Afarizmit të kosovës në këtë takim u përfaqësua nga: Kryetari i Bordit Skënder Krasniqi, zyrtarja Mirjeta Shala dhe përfaqësuesit e biznesit anëtare “Bel – Kos” SH.P.K. Lulzim Gashi dhe Qendresa Bajraktari.