Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) takuan Zëvendëskryeministrin z. Fatmir Limaj. Me këtë rast kryetari i OAK-së z. Skender Krasniqi së bashku më nënkryetarin Arsim Selmonmusaj dhe zyrtarët për komunikim me biznese, përgëzuan z. Limaj për punën dhe vendimet e marra nga qeveria e Kosovës, siç është vendimi për lirimin nga dogana të lëndës së parë dhe pajisjet teknologjike. Gjithashtu Oda e Afarizmit e përshendet përfundimin e Ligjit mbi investime strategjike i cili tani është funksional.
z. Krasniqi shpalosi edhe sfidat e të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset, duke adresuar edhe disa kërkesa specifike:
· Përmirësimi i klimës së të bërit biznes, në aspektin politik dhe ekonomik;
· Krijimi i ofertave për të bërë biznes, në mënyrë që të tërheqim investitor të huaj;
· Ofrimi i përkrahjes për bizneset ekzistuese të qëndrueshme;
· Aktivizimi i gjykatës ekonomike;
· Riaktivizimi i bordit të ankesave brenda ATK-së;
· Formimi i një bordi të ankesave ndaj inspektoriatit të punës;
· Problemi i energjisë, që ka të bëjë me çmimin shumë të lartë për bizneset dhe reduktimet e saj;
· Problemi me pagesat, ku pagesat e tvsh-së të bëhen me rastin e inkasimit të mjeteve dhe jo me faturim, ashtu siq është rregulluar për kompanitë publike vite me parë.
· Regjionalizimi i zonave në bazë të produkteve;
· Bizneset të mos vazhdojnë të detyrohen të mbledhin tatime për ATK-në.
· Të ndërmerren masa ndaj konkurrencës jolojale;
Gjithashtu Oda e Afarizmit të Kosovës i shfaqi edhe disa probleme që kanë disa biznese, anëtarë të OAK-së, siç është rasti i një biznesi me pronën ku është investuar mbi 10 milion euro dhe problemi me Minierën e Goleshit e cila po hynë në vitin e tretë të ndërprerjes me polici nga ana e AKP-së, disa ditë para se të startoj punën. Pronarët e kësaj miniere kishin planifikuar hapjen e mbi 700 vendeve të punës në Komunën e Lipjanit me çka do të përfitonte shumë kjo Komunë dhe Kosova në përgjithësi.
Zv. Kryeministrit Limaj iu sqarua në detale ky problem edhe u informua se nëse ky rast shkon në arbitrazh, Kosova do të humb mbi 100 milion euro.
Ndërsa nënkryetari z. Arsim Selmonmusaj theksoi edhe çështjen e bizneseve pasive të cilat nëse brenda 3 muajve nuk e deklarojnë mbylljen ose falimentimin, të ndëshkohen nga shteti për këto veprime dhe të obligohen me ligj që të kryejnë të gjitha obligimet që ata kanë.
Kërkesat e OAK-së z. Limaj i mirëpriti duke i cilësuar si mjaft të nevojshme për zhvillimin ekonomik në vendin tonë, ku ndër të tjera theskoi faktin se roli i Odës së Afarizmit të Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe mund të kontribuoi shumë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
Limaj tregoi edhe për veprimet që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të përmirësuar klimën e të bërit biznes, siç janë Ligji mbi investimet strategjike, vendimet për lirimin nga dogana të lëndës së parë dhe paisjeve teknlogjike dhe vendimin për ndërprerjen e shitjes së pronave bujqësore nga ana e AKP-së.
z. Limaj theksoi gjithashtu se Qeveria e Kosvës është shumë e interesuar që të vazhdojë me marrjen e vendimeve në interes të biznesit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me komunitetin e biznesit.
Përfaqësuesit e OAK-së gjithashtu falënderuan z. Limaj për kontributin e dhënë për anëtarësimin e Odës së Afarizmit të Kosovës në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan që të rrsin edhe me shumë bashkëpunimin institucional ndërmjet vete, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për bizneset në vendin tonë.