Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës u pritën në takim nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa për të diskutuar rreth Propozimit të MBPZHR për të iniciuar ndryshim plotësimin e udhëzimit administrativ nr. 10/2010.
OAK falënderon Ministrin Mustafa dhe stafin e Ministrisë për iniciativën e nisur për ndryshim – plotësimin e udhëzimit administrativ për të cilat OAK është duke kërkuar tani e disa vite, e që po paraqesin pengesa gjatë të bërit biznes në disa sektorë.
Pas analizave të bëra nga OAK së bashku me të gjitha bizneset e prekura nga këto udhëzime administrative e të cilat atakojnë bujqësinë, blegtorinë, turizmin, minierat dhe investitorët, si dhe pas takimit të përbashkët që Oda e Afarizmit kishte me përfaqësues të bizneseve nga regjione të ndryshme të Kosovës, u kërkua nga MBPZHR që të merren parasysh edhe kërkesat e tjera të bizneseve të bëra tani e disa vite, në tërësi meqenëse të parcializuara përsëri nuk do të kontribuojnë të zgjidhjen e problemit.
Në këtë takim u diskuta gjerë e gjatë secila specifikë e pengesave që këto udhëzime administrative janë duke shkaktuar dhe nevojën emergjente për ndryshim plotësimin e tyre.
Kryetari i bordit Skënder Krasniqi shpalosi të gjitha rekomandimet e OAK-së dhe analizat që oda tash e disa vite ka bërë dhe kërkoi nga Ministri që propozimi i publikuar në diskutim publik për ndryshim plotësim të udhëzimit administrativ të pezullohet, pasiqë si i ndarë nga udhëzimet e tjera nuk do të zgjidhë problemet e evidentuara. Andaj, u kërkua që të iniciohen bashkarisht edhe 3 udhëzimet e tjera, në mënyrë që si tërësi të eleminojnë barrierat aktuale.
Ndërsa Idriz Zejnullahu përfaqësues nga bizneset, theksoi që rritja e sipërfaqës që mund të merret në shfrytëzim nga biznesi pa ulje të çmimit për ha është ngarkesë shtesë për biznesin. Ai propozoi që pa pikat e lirimit të taksave, ky ndryshim do të ishte i pa efektshëm, sepse nëse një biznes merr 20ha atëherë ai detyrohet të paguajë 40,000 € në vit qera për shfrytëzim të tokës, që është një kosto shumë e lartë.
Ministri Mustafa u shpreh i hapur pë bashkëpunim, duke theksuar që do të formojë dy grupe punuese për analizë të detajuar të kërkesave dhe udhëzimeve, e që të shiqohen mundësitë e plotësim ndryshimeve të tyre, duke u bazuar në kornizën ligjore.
OAK në këtë takim u përfaqësua nga: Skënder Krasniqi kryetar, Qendresa Ibrahimi koordinatore dhe Idriz Zejnullahu përfaqësues nga bizneset.