Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nxënës të shkollës shqipe të Sllovenisë po qëndrojnë për një vizitë në Kosovë 4-ditore në Kosovë.
Sot ata janë pritur në Ministrinë e Diasporës nga zëvendësministri Isni Kilaj.
Z.Kilaj është shprehur i lumtur që po takon nxënës dhe mësues që janë të interesuar ta ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditën shqiptare.
Duke u uruar mirëseardhje në emër të zëvendëskyrministrit/ministrit të Diasporës, Dardan Gashi, Kilaj ka thënë se me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve me Kosovën, MDIS-i mbështet dhe organizon vizita të tilla për nxënësit shqiptarë nga diaspora.
“Qëllimi i ministrisë është që përmes organizimeve si ky sot, por edhe të tjerave t’i mbani kontaktet me atdheun për të ruajtur gjuhën, kulturën e traditën”, është shprehur zëvendësministri Kilaj.
Ndërkaq, mësimdhënëset dhe nxënësit e falënderuan Ministrinë, në veçanti ministrin Dardan Gashi, i cili ka mundësuar krijimin e lidhjeve ndërmjet bashkatdhetarëve nga Sllovenia. Ata theksuan se komuniteti shqiptar në Slloveni kurrë më parë nuk kishte një lidhje kaq të afërt me Kosovën.
Në ditën e dytë në Kosovë, ata do të vizitojnë edhe një shkollë të Mushtishtit të Suharekës, ku do të mbahet orë e përbashkët mësimi dhe do të jepet një program kulturor. Më pas, do të vizitojnë memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.