Deklaratat e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, ndoshta edhe mund të merren si të parëndësishme porse ai dhe shoktë e tij nga opozita, përfaqësojnë një numër goxha të madh të qytetarëve.
Shkruan: Ardian Azemi
Për mendimin tim, më shumë më “vrasin” reagimet nga opozita në Kosovë përkitazi me Ushtrinë, taksën, raportet me BE-në, sesa reagimet nga Beogradi dhe në theks të veçantë nga BE-ja. Kur reagon Beogradi kundër Ushtrisë së Kosovës dhe kundër taksës, është e pritshme, kur reagon BE, është e papritshme për neve por nuk na befason, ama kur reagon opozita, rrjedhimisht zyrëtar me peshë në LDK, ndihem keq, i thyer, i dërrmuar, sepse e di saktë se elektoratit të tyre iu mohohet krenaria me vendin e vet, me Ushtrinë, me taksën, me qëndrimet dinjitoze të Qeverisë së Kosovës në raport me BE-në.
Nuk besoj se ekziston një votues i vetëm i opozitës, përkatësisht i LDK-së, që nuk është ndi krenar me Ushtrinë e Kosovës, me taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, me qëndrimin e prerë të Republikës sonë ndaj BE-së. Ushtria është si rezultat i gjitha përpjekjeve përgjatë një shekulli e më shumë. Ushtria është e të gjithve sepse i përket popullit, sikurse qëndrimet ndaj Serbisë dhe politikave diskriminuese të BE-së ndaj Kosovës.
Edhe politikanët gabojnë, mund të jenë lodhur në ndonj aheng ose në rrugë dhe e kuptueshme mos me mujt me i artikulua dhe argumentua qartë mendimet, por në momentin që je ç’lodhë, ndihesh esull, nuk është marre me kërkua falje publike. Jo, nuk ekziston kjo në fjalorin e tyre, përkundrazi, nuk u organizua asnjë aktivitet për nder të kësaj të arritur të madhe. Ditën kur u votua për Ushtrinë, Gjilani, qyteti im që tradicionalisht feston për ngjarjet e mëdha, ishte i heshtur, sikur diçka e tmerrshme ti ketë ndodhur Kosovës.
Imagjinoni sikur të ishte gjallë Ibrahim Rugova, a do të ndodhte të mos i bashkangjitej gëzimit qytetarë për Ushtrinë..? Është turp që ky subjekt politik të vazhdoj të mbijetoj duke u thirrë në vlerat e Rugovës, në “Frymën rugoviane”, sepse janë në shpërputhje të plotë njëra me tjetrën. LDK e ka humbë rrugën n’oborr, dhe tani nuk po arrinë të menaxhoj siç duhet as me zyrëtarët e saj e as me deklaratat publike. E kanë humbë fijën, dhe për këtë më vjen keq!
Ramush Haradinaj është Kryeministër i Republikës së Kosovës, që me përkthye saktë, është kryeshërbëtori i popullit të Kosovës. Nuk i takon thjeshtë AAK-së, as koalicionit qeverisës. I takon popullit të Kosovës, dhe çdo vendim i tij, i mirë ose i keq, ndikon direkt tek popullit dhe tek Republika. Kur një Kryeministër e përfaqëson kësisoj Republikën dhe popullin, nuk lëshon pe kur bëhet fjalë për interesat e vendit të tij, me i quajt qëndrime populiste, sinqerisht i kalon limitet e sjelljes politike dhe të gjykuarit normal të gjërave.
Gara për pushtet nuk bëhet duke e rrënuar vetëvetën, duke heqë dorë nga ajo që realisht je. Gara për pushtet nuk bëhet duke e mohua sovranitetin, duke u nënshtrua me vetëdëshirë edhe atëherë kur nuk të kërkohet të nënshtrohesh. Gara bëhet duke bërë përpjekje me e bindë popullin se ti je ai që e bënë krenar popullin me Republikën, me përfaqësimin e saj jashtë, me qëndrime dinjitoze. Popullin e bindë veç atëherë kur nuk ia mohon gëzimin për të mirën e përgjithshme, edhe atëherë kur autor i së mirës është dikush tjetër.
Për një gjë të jemi të sigurtë; madhështinë e njerëzve nuk e përcakton pozicionimi politik, por vendimet historike, modestia, dhe prezantimi origjinal i vetëvetës, asaj që realisht je, pavarësisht ku ndodhesh dhe kush të rrethon. Frika njihet si faktor që vetëm i pshtjellav gjërat, dhe që nuk të jep asnjë mundësi për ecje përpar. Nuk mund të bëhesh mik me dik duke iu përshtatur rregullave të tij. Miqtë janë të mirë vetëm atëherë kur pranojnë vlerat origjinale të njëri-tjetrit.