KPF rekomandon riorganizimin e këshillave lokalë

KPF rekomandon riorganizimin e këshillave lokalë

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur të martën takimin e fundit për këtë vit kalendarik, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ku ka shqyrtuar rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me këshillat lokalë, rekomandimin për ndarjen e titullit “Qytetar nderi” për Ilir Mustafën (pas vdekjes) dhe titullit “Nderi i qytetit” për Fehmi Fetahun, propozim-vendimin për caktimin e kompensimit mujor për anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve në NLP “Tregu” dhe “Stacioni i Autobusëve”, propozim-planin e punës së Kuvendit për vitin 2019, propozim-vendimin për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve.

Njëherësh KPF ka miratuar edhe kërkesën për shlyerjen e borxheve të mbetura deri në fund të vitit të Teatrit të qytetit, kërkesën për financimin e manifestimit “Flaka e Janarit” 2019, pastaj raportin e kryetarit të Komunës për vitin 2018, raportin e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) për vitin 2017, raportin e punës për vitin 2018 të KKSB si dhe planin e punës për vitin 2019 të KKSB dhe të gjitha këto pika i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.

Ndryshimet në projekt-rregulloren për bashkëpunim me këshilla lokalë, siç ka thënë Avdul Aliu, kryetar i komisionit, kanë të bëjnë me gjithëpërfshirjen dhe kompensimin, si nevojë për një funksionim sa më të mirë të këtyre njësive. Kështu, numri i këshillave lokalë parashihet të rritet në 44 nga 29 sa ishin deri tani, ndërsa për kryetarët e këshillave, që në mandatin e parë kanë punuar në baza vullnetare, parashihet një kompensim mujor.

Ibish Ibishi, këshilltar e ka parë të panevojshme themelimin e këshillave në fshatrat me numër të vogël të banorëve, për shkak të kostos financiare, ndërkaq përfaqësuesit e VV, Nevzad Isufi e Arijeta Rexhepi kanë kërkuar që të mënjanohet ndikimi politik në këshilla lokalë, siç ka ndodhë në mandatin e kaluar, përmes zgjedhjes së personave që njëkohësisht janë anëtarë të strukturave partiake.

Mendim ndryshe patën Avdyl Aliu (LDK) e Shemsedin Ramushi (AKR), duke thënë se kjo e drejtë iu takon qytetarëve, të cilët vendosin vetë se kënd do ta zgjedhin dhe askush tjetër nuk mund të imponojë një kandidat të caktuar.

Sa i përket ndarjes së çmimeve për veprimtarin Ilir Mustafa (pas vdekjes) dhe afaristin Fehmi Fetahu, kryesuesja e KPF, Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se propozimi ka ardhur nga kryetari i Komunës, i cili do të sjellë edhe arsyetimin për këto propozime në seancën e Kuvendit Komunal.

Për manifestimin tradicional “Flaka e Janarit”, që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport ka kërkuar 56.350 euro.

Shpresa Hajdari, drejtoreshë e Kulturës, ka thënë se si rëndom, manifestimi mbështetet në katër shtyllat kryesore të tij, që janë arti letrar, arti skenik, arti muzikor dhe arti pamor, përfshirë edhe akademinë e “Flakës…”, që është shtylla e pestë.

Sipas saj, nëse MKRS nuk e ndan këtë shumë të mjeteve, sikurse vitin e kaluar dhe deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje prej nivelit qendror, atëherë duhet të shkohet me një plan alternativ, ku parashihet reduktimi i programit në disa pika, por pa e dëmtuar manifestimin si tërësi.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini u shpreh optimiste se MKRS-ja do të ndajë një sasi të mjeteve, nëse jo tërë shumën e kërkuar, ndërkaq pjesën tjetër do ta sigurojë Komuna nga buxheti i saj, në mënyrë që “Flaka e Janarit” të realizohet ashtu siç duhet, ka thënë ajo.

Për Kuvend Komunal është rekomanduar edhe raporti i Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) për vitin 2017, të cilin e ka paraqitur koordinatori Ibrahim Ademi, duke nënvizuar faktin se falë punës së mirë që ka bërë Komuna e këtushme, Gjilani është shpërblyer me tri grante, mjete këto që janë orientuar për asfaltimin e rrugës së Kumanovës, ndërtimin e rreth-rrotullimit te udhëkryqi i Prishtinës si dhe për asfaltimin e rrugëve në lagjen “Porodin”.

Njëherësh, KPF ka miratuar edhe kërkesën e Teatrit të qytetit për shlyerjen e borxheve të mbetura deri në fund të këtij viti, në shumë prej 44,957 euro, duke llogaritur këtu edhe 8.500 euro që ende nuk janë lëshuar nga subvencioni paraprak prej 55.000 euro.
Teatri i Qytetit të Gjilanit, vetëm gjatë periudhës qershor-nëntor të këtij viti ka zhvilluar mbi 50 aktivitete kulturore, duke bërë kështu që të rikthehet publiku dhe vëmendja nga Gjilani, si kryeqytet i kulturës shqiptare.

KOMENTE