Në punën time si punëtore shëndetësore, jam angazhuar edhe në fushata e projekte në luftë kundër kancerit, me qëllim të vetëdijesimit të femrave se si të parandalojnë sëmundjen e rrezikshme të kancerit.
AJSHE LEKA
Tani dhe më herët, kam dhënë kontributin tim në ndërgjegjësimin e grave të Anamoravës, duke filluar nga komuna e Gjilanit me rrethinë, komuna e Vitisë me rrethinë, Kllokoti, Kamenica, Ranilluku dhe Novobërda. Ofrimi i shërbimit të mamografisëmobile, kishte për qëllim zbulimin e rasteve te reja të kancerit të gjirit, duke e ditur se diagnostifikimi i hershëm jep mundësi më të mëdha për trajtimin dhe shërimin e sëmundjes vdekjeprurëse.
Edhe në këtë tetor, muajin ndërkombëtar të luftës kundër kancerit të gjirit, ndihem e obliguar që të vazhdoj kontributin tim si këshilluese në lëmin e nutricionit, si një mënyrë tjetër për të luftuar këtë sëmundje, e cila dita-ditës po rritet.
Të gjithë e dimë se të ushqyerit e shëndetshëm dhe të ekuilibruar ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, duke përfshire edhe kancerin. Me një dietë të shëndetshme dhe të duhur, mund të përmirësojmë shëndetin personal dhe shëndetin e njerëzve rreth nesh, duke ndryshuar lehtë stilin e jetës, për të qenë të shëndetshëm dhe më energjik.
Është shumë e rëndësishme që të parandalohen sëmundjet kronike, me origjinë nga
mënyra e të ushqyerit, sëmundjet që lidhen me dietën dhe mënyrën e jetesës, duke
përfshirë këtu sëmundjet kancerogjene.
Duhet pasur kujdes që ushqimi i zgjedhur të jetë i freskët, i ruajtur dhe i gatuar në mënyrë
përkatëse (duhet të zihet, skuqet, piqet, gatuhet me avull), sepse kështu do të jetë më e madhe mundësia që të evitohet kjo sëmundje serioze.
Ushqimet e mëposhtme janë disa nga ato që luftojnë fuqishëm sëmundjen e kancerit dhe që patjetër duhet të jenë në dietën tuaj ditore, sepse kështu do të minimizoni rrezikun nga kjo sëmundje.Duhet konsumuar sasi të nevojshme të ushqimeve të pasura me yndyrë,gjatë së cilës një e treta e tyre duhet të jetë e origjinës bimore.
Antioksidantët janë substanca kimike që gjenden natyrisht në ushqime. Antioksidantëtjanë një armë në organizëm, në luftën kundër sëmundjes së kancerit. Ato janë substanca që shkatërrojnë radikalet e lira. Organizmi prodhon antioksidantë të vetë, por përdoren edhe antioksidantë nga ushqimi. Studimet kanë dëshmuar dobitë nga konsumimi i ushqimeve të pasura me antioksidantë, të cilat së bashku me një ushqim aktiv të ekuilibruar, mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut nga paraqitja e më shumë llojeve të sëmundjeve. Antioksidantët konsumohen nga ushqimi me origjinë bimore dhe me shtesat ushqyese në formën e kapsulave, tabletave etj.
Antioksidantët natyrorë kanë një efekt më të theksuar, sepse duke vepruar në të njëjtën kohë me përbërës të tjerë ushqimorë, rrisin në mënyrë të konsiderueshme efektin e tyre të dobishëm.
Ushqime e pasur me antioksidantë, të cilat duhet konsumuar çdo ditë janë:frutat – manaferra, agrume, kajsi, mango dhe rrushi i zi, perimet – brokulli, spinaqi, domatet, karotat, specat,qepet, perimet bishtajore – fasule të mëdha, fasule të imëta dhe soja, frutat e thata – arrat amerikane, arrat, fëstëkët, lajthitë,bademi, pijet – kafeja, çaji (sidomos çaji i gjelbër), vera e kuqe,çokollata e errët.
Këta antioksidantë ulni nivelin e marrjes së mishit të përpunuar, si proshutë dhe sallam, të cilat njihen për rritjen e rrezikut për kancer. Duhet shtuar një sasi të qëndrueshme të peshkut dhe frutave te detit, në dietën tuaj, për ta siguruar marrjen e ushqimeve mbrojtëse.
Derisa drithërat me sheqer mund të punojnë kundër shëndetit tuaj, plotësimi i mëngjesit me një shumëllojshmëri të fibrave dhe acidit folik, mund të kenë efekt të kundërt. Hulumtimet sugjerojnë se për çdo 10 gramë fibra që konsumohen çdo ditë, rreziku nga kanceri i gjirit te një grua ulet për 7 për qind.
Qumështi, jogurti, djathi, hirra dhe proteinat e qumështit janë vetëm disa nga proteinat anabolike sugjerohen sepse mbrojnë nga sëmundja e kancerit. Studimet kanë gjetur se konsumimi i qumështit është i lidhur me reduktimin e kancerit të gjirit, fshikëzës, ovarianit dhe kancerit të prostatës.
Aktiviteti fizik ka shumë efekte përfituese në drejtim të shëndetit, pavarësisht nga
mosha. Njerëzit të cilët bëjnë një jetë të shëndetshme dhe që rregullisht përfshihen në
ushtrime jo shumë të vështira, kanë më pak mundësi të zhvillojnë sëmundje kancerogjene.
Kësaj i shtohen edhe zakone të tjera të mënyrës së jetesës (si pirja e duhanit dhe alkoolit) të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut nga sëmundjet kronike dhe kanceri.
Çdo individ, me vetëpërgjegjësinë e tij duhet të përpiqet që të ndërmarrë veprime për ndryshime në qëndrimin ndaj ushqyerjes së shëndetshme dhe mënyrës së jetesës, për t`u larguar nga sëmundjet kancerogjene.
(Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe)