Thuhet se marrëzia nuk ka brirë. Po as krimi ka brirë e megjithatë këta dy akte kanë një dallim thelbësorë: përderisa me marrëzi mund të bëhen edhe gjëra të mira; krimi bënë vetëm dëme e ligësia të dënueshme shoqërisht dhe juridikisht, nënkuptohet, aty ky vepron morali e ligji.
Reis Mirdita
“Uji që ecë, është i pastër” thuhej dikur por ky epitet i pastërtisë nuk përmban sot asnjë grimcë vërtetësie.
As ujërat nëntokësore nuk kanë sot kthjelltësinë e kohërave kur njeriu nuk dinte me të arriturat e veta industriale të ndotë burimet e jetës së vet, së paku të jetës së shëndoshë, në natyrë të shëndoshë…
Gjendja e mjerueshme nga ndotja e ambientit në të gjitha trojet tona, më përkujtonte sloganet e politikanëve dhe botës rreth tyre kur thoshin (dhe thonë) se do ta bënin Shqipërinë: Zvicër, Kosovën: Zvicër e nuk di akoma çfarë premtime ëndrrash tjera për të joshur pjesën e votuesve miopë…
Dhe tani kur jemi në “bërjen e Zvicër, do të ndalem të përmendi se në vitet 1880 ligjet ndalojnë ndotjen e ujërave vatër e peshqve e të tjera masa mbrojtëse si largimi nga vendbanimet për të marrë dhe filtruar ujin për pije.
Në këtë kontekst, në vitin 1888, në ligjin mbi peshkimin, përcakton se mbeturinat e lëngshme industriale “duhet të hedhen (derdhen) në atë mënyrë që të mos dëmtojnë peshqit” (Shih“Environnement 1 2017).
I shmangem të flas për Rishikimin e Urdhëresës për mbrojtjen e ujërave fikse dhe kriteret për proceset e duhura në eliminimin e mikrondotësve.
Në këtë tekst hidhen bazat e vënien e vlerave (të dhënave, njësive) ecotoxicologjike që do të shërbejnë për evoluimin e ujërave sipërfaqësorë me ç’gjë do të zvogëlohet maksimalisht rreziku nga përdorimi i prodhimeve fitosanitare.
Të them të drejtën, qarqet politike-vendimmarrëse, as që kanë dëgjuar për këto masa nga një seri e tërë që janë me ligj, e jo vetëm në Zvicër.
Por të kaloj në një shembull drastik që po ndodh tash e sa kohë në një regjion të konsideruar si nga më të bukurit në tokë të Alpeve Shqiptare, gjegjësisht, në rrjedhën e Lumbardhit (vër. Drejtshkr. oficial: Lumëbardh), Gryka e Deçanit.
Këtij lumi të bardh po i nxihet jeta me të gjithë botën shtazore e bimore, me një fjalë i gjithë ekosistemi në humnerë.
Nuk ka nevojë për një kometë të hatashme si ajo që zhduku dinosaurët për të shfarosur jetën e Grykës; për këtë mjafton njeriu i papërgjegjshëm dhe e gjitha duke filluar nga kryet e hardallëve që marrin vendime për favore vetanake.
Këta njerëz a nuk dinë se thithja e ujit në natyrë për qëllime të ndryshme është e lejuar gjer në minimumin vital e në rastin konkret, do të them se 1/3 e lumit nuk duket askund.
Shtrati me të vërtetë është i bardhë por jo nga shkuma e ujit por nga gurët e zallit të ngelur në diell.
Mos respektimi i minimumit vital në Zvicër që po merret si bazë, përgjegjësit humbin punën dhe rrezikojnë burgun (Tungjatjeta zotëri ministra dhe bashkëpunëtorë).
Këtë verë isha në vizitë te Adem Lushaj, intelektual i mirënjohur deçanas, aktivist i pa kompromis në ruajtjen e ambientit jetësor dhe me ndihmën e tij arrita të vizitoj viset e sakatuara por për fat, akoma të bukura të kësaj ane të nënqiellit shqiptar.
Një rrugë e nisur brî lumit, vetëm sa ka gërryer themelet malit dhe brigjet e ujit dhe është lënë askund, në mëshirën e hiçit. Tri centralet që shterin ujin pa asnjë respekt ndaj natyrës dhe ligjit, qëndrojnë të ngritura si katallanë, po si ai Katallani nga mitologjia që kërkonte një fëmijë në javë për ta ngrënë e t’ua lëshojë një ditë ujin fshatrave përbri.
Peshqit, butakët, insektet si dhe florën e gëlltitën tre katallanët, tash me ndotjen e vazhdueshme, ka gjasa reale që njeriu i Lumbardhit, të jetë fosili i parë i ardhmërisë!
A duhet të them në fund, se njeriu është përfituesi kryesor i begative dhe si i tillë, ai duhet ta ketë qëllim jetik ruajtjen e baraspeshave natyrore në gjithë botën.
Edhe kafsha me e padobishme në shikim të parë, është e dhëna më e qartë që pasqyron stabilitetin.
Përkeqësimi që shkakton shfarosjen e kafshëve të egra, por edhe faunës, është simptomë se kërcënimi i zhdukjes së njeriut është evident dhe se në një kohë të ardhme, do të jetë viktimë e radhës.