Shumë më e rëndësishme po del të jetë Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), se sa anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe mekanizma tjerë të sigurisë në botë.
Këmbëngulja e dy subjekteve fituese të zgjedhjeve për ta marrë drejtimin e kësaj ministrie, bëhet për shkak se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mendon që përmes saj të hakmerret, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të sigurohet.
Shkruan: Ardian AZEMI
Personalisht, sikurse edhe shumë të tjerë, nuk jemi duke parë atë “ndryshimin” e proklamuar me vite nga dy subjektet politike. Ende pa u formua institucionet, krijuan zhgënjim, madje me sjelljet e tyre po dëshmojnë se janë të vendosur që me fanatizëm ta ruajnë “traditën” e pazarllëqeve politike si kriter fundamental për ti formua institucionet. Pra, nuk kemi të bëjm me ndonjë ndryshim, kemi vazhdimësi.
Që Albin Kurti ka ndryshua rrënjësisht, kjo nuk do diskutim. Gjë e mirë kjo, sepse ka arritë që ende pa u krijuar institucionet e reja, të heqë dorë nga “lëkura” e opozitarizmit. E ka kuptua se të qenit në opozitë të jep shanse me folë çfarë të duash e si të duash. Drejtimi i institucioneve shtetërore është muhabet tjetër, është përgjegjësi, duhet punë konkrete dhe jo me t’qëlluara. Albini po ndryshon, dhe kjo është e shëndetshme për partinë e tij, megjithëse njerëzit për rrethë tij, ende janë me mentalitetin e para do kohe. Tanimë janë rrethana tjera, nuk ka drejtim të gishtit kah tjetri!
Në vazhdimësi e kemi thënë se temat që e presin Kosovën, janë të rënda, dhe është thuajse e pamundur me gjetë formë për me i menjanua. Duhet me u përball me to, domosdo. Kanë thënë se nuk do të dialogojnë me Serbinë pa kushte, kjo ka me u bë lëre që pa kushte, por ka me u bisedu kryekëput për Kosovën, për territorin, për kufijtë, për Asociacionin, madje me një lider i cili hapur del dhe i mohon krimet e kryera nga shteti i tij në Kosovë, me një lider i cili ishte pjesë e aparatit shtetëror në kohën kur Serbia ka bë gjenocid në Kosovë. E dini pse ndodh kjo..? Sepse, në fillim i kemi pranuar rregullat e lojës, tani jemi shumë të pafuqishëm për ti ndryshuar këto rregulla.
Sidoqoftë, institucionet e Republikës së Kosovës do të formohen, qoftë mbi realitetin e 6 tetorit, qoftë mbi një datë tjetër në një të ardhme të afërt. Por, ndryshim nuk do të ketë, sepse nuk ka kush e bën këtë ndryshim, ngase nuk e sjell ndryshimin dikush që ka qenë herë prijëse e herë bashkëpjesëmarrëse në të gjitha proceset prej ditës së parë të çlirimit e deri sot kur po flasim. Jemi shtet i krijuar nga të huajt, prandaj e kemi të pamundur të këmbëngulim në procese të rëndësishme, anipse kemi të drejt si popull e si shtet. Jemi shumë të pafuqishëm ta bëjm këtë. Fatkeqësisht!