Është hapur mbrëmë edicioni i 18 i Manifestimit tradicional kulturor e sportivë “Flakadani i Karadakut 2019”. Hapja u bë në mënyrë solemne me ndezjen e flakadanit nga ana e kryetarit të komunës Sokol Haliti, kryetarit të OVL të UÇK-së, Abdyl Bajrami e Shefket Musliu ish komandant I UÇPMB-së.
Në fjalën e rastit, kryetari i komunës Sokol Haliti, theksoi se karakteristikë e manifestimit të sivjetmë, është viti i themelimit të ushtrisë së Kosovës, fillet e së cilës i nisën djemtë dhe vashat më të mira të kombit, si komandant Mjekra dhe dëshmorët e tjerë, por edhe gjithë ata luftëtar që uniformën e ushtrisë e veshën, për ti dal zot vendit.
“Me të drejtë besoj, do ta quaja sivjet Flakadanin e Karadakut edhe si Flakadan i Ushtrisë së Kosovës, si simbol i rezistencës dhe lavdisë së popullit të Kosovës. Edhe këtë vit, Manifestimi Flakadani i Karadakut, do të grumbullojë në Viti artistë e piktor, shkrimtar e poet, solistë e valltarë, shoqëri e Ansamble, sportistë e sportiste nga të gjitha trojet shqiptare, që me aktivitetet e tyre, do të nderojmë figurën e komandant Mjekrës dhe gjithë dëshmorëve të lirisë, të cilët dhanë më të shtrenjtën jetën, për lirinë e Kosovës. Për 18 vite veprimtari, Flakadani i Karadakut po vazhdon të promovoj vlera në fushën artistike, krijimtarisë letrare, por edhe të ruajtjes së vlerave tona kombëtare, si dhe historisë sonë të lavdishme dhe traditave të kulturës nga vise të ndryshme kudo që jetojnë shqiptarët” tha kryetari Haliti.
Ndërsa në emër të OVL të UÇK-së, foli kryetari I kësaj Organizate Abdyl bajrami, i cili u shpreh se është nder për Vitinë që po hapim sonte “Flakadanin e Karadakut”, që lidhet me emrin dhe veprën e Nijazi Azemit “Komandant Mjekrra”.
Kurse në emër të organizatave të dala nga lufta e UÇPMB-së foli Shaqir Shaqiri, që mes tjerash tha jemi të nderuar që sonte jemi këtu që post të marrim pjesë në këtë manifestim, po ashtu të përulemi para veprës së këtij burri të madh të Shqiptarisë, lufta që bëri për liri dhe bashkim të asaj pjesë që akoma po mbetet e robëruar.
Hapja e manifestimit Flakadani i Karadakut, u përcoll me një këngë kushtuar Nijazi Azemit , interpretuar nga Shkodran Tolaj dhe Besiana Mehmeti dhe me këngë korale nga Kori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi”.
Ndërsa ndezja e Flakadanit, u përcoll me një pjesë artistike nga valltari dhe artisti i Ansamblit “Shota” Besnik Grajqevci, i cili i veshur me uniformën e luftës së “Komandant Mjekrra”, solli në skenë flakadanin, e që ngjalli emocion të veçantë tek të pranishmit.