Rrugëtimi i vërtetë! Kështu e kishim quajtur udhëtimin për në Budapest për Kongresin e UEFA-s të 3 majit të vitit 2016, ngase ishim plot optimizëm dhe të bindur në sukses, teksa nuk munguan as atëherë zërat pesimistë brenda vendit, por që ishin të paktë.
Shkruan: Agim Ademi, president i FFK-së
Presidenti i ndjerë Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu kishin udhëtuar për kryeqytetin hungarez një ditë më herët për konsultat e fundit me pjesëmarrësit e Kongresit, derisa ne ekspedita e Komitetit Ekzekutiv së bashku me ish-presidentët Agim Bytyçi e Sabri Hashani dhe shumë gazetarë sportivë morëm rrugën e gjatë për në Budapest me autobus, duke evokuar kujtime të shumta të mbijetesës së futbollit nën izolim për 25 vjet, me përplot sfida e sakrifica.
Entuziazmi ishte i madh tek të gjithë, derisa kryeqyteti hungarez ishte vërshuar edhe nga shumë bashkatdhetarë tanë në Evropë, por edhe nga krerët e institucioneve të vendit të asaj kohe, për të na dhënë mbështetje morale në këtë mision.
Duke ditur faktin se padrejtësisht ishim mbajtur për më shumë se dy dekada larg familjes evropiane të futbollit kishte aty këtu edhe dozë presioni e frike nga ndonjë skenar i momentit të fundit nga kundërshtarët e Kosovës për dështimin e votimit për anëtarësim, por personalisht isha i bindur se kjo ishte dita e madhe ku do të vulosej fati i futbollit tonë.
Interesimi i mediave për Kongresin e UEFA-s ishte i jashtëzakonshëm. E gjithë vëmendja ishte tek delegacioni i FFK-së. Brenda punimeve të Kongresit u zhvillua debat i ashpër ndërmjet atyre që ishin pro dhe atyre që ishin kundër Kosovës.
Pas dështimit të kalimit të ndryshimeve në Statutin e UEFA-s situata u bë konfuze, ngase mbijetoi neni famëkeq i cili kishte qenë për shumë vite mur i pakalueshëm për ne, e i cili parashihte që pjesë e UEFA-s mund të jetë shteti i pranuar në OKB.
Mirëpo, UEFA e respektoi rendin e ditës deri në fund, ku presidenti tashmë i ndjerë Fadil Vokrri mbajti fjalimin e tij dhe i ftoi përfaqësuesit e 54 federatave anëtare të UEFA-s që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës dhe t’ua mundësojnë të rinjve kosovarë që të ndihen të barabartë me pjesën tjetër të Evropës.
Në përkrahje të fuqishme të drejtësisë dhe të FFK-së doli zyrtari ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell, i cili i dha dritën e gjelbër Kongresit për ta hedhur në votim kërkesën e FFK-së për anëtarësim, duke ua shpjeguar pjesëmarrësve të Kongresit se “nëse nuk je anëtar i OKB-së nuk do të thotë se nuk je shtet”.
Kjo thirrje legjitime u dëgjua pozitivisht nga 28 anëtarë të Kongresit, të cilët me votën e fshehtë pro i dhanë fund izolimit të padrejtë të futbollit të Kosovës. Kur drejtuesi i punimeve të Kongresit, Angel Maria Villar kumtoi rezultatin e votimit në sallën e Kongresit jehuan duartrokitjet, derisa jashtë sallës ku ishte numri i madh i gazetarëve nga Kosova u dëgjuan duartrokitje të forta, por edhe brohoritma ‘Po, po – Kosova-Kosova’, derisa shumë prej të pranishmëve nuk mund t’i evitonin lotët.
Gëzimi i këtij triumfi ishte i pranishëm kudo, e veçanërisht në hotelin viza-vijë pallatit ku mbahej Kongresi, ku ishim mbledhur pjesa tjetër e ekspeditës, ngase përfundimisht u shpërblye puna e palodhshme dhe sakrifica e të gjithë atyre që për 25 vjet kontribuuan në mbajtjen gjallë dhe në zhvillim të futbollit.
3 maji na i hapi dyert e zhvillimit dhe suksesit dhe në këto katër vjet Kosova e ka vërtetuar në të gjitha segmentet se vendimi i Kongresit të 40-të të UEFA-s në Budapest ishte plotësisht i drejtë, ndonëse i vonuar. Kosova është bërë histori suksesi, duke fituar Divisionin e saj në Ligën e Kombeve dhe tashmë duke qenë pjesë e “play-off”-it për Evropian, derisa edhe klubet nga viti në vit po bëjnë hapa përpara në përfaqësimin e vendit në garat evropiane.
Me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë miqtë dhe përkrahësit e këtij rrugëtimi, posaçërisht DFB-në dhe bashkëpunëtorët tanë në Gjermani, FSHF-në me presidentin Armando Duka, përfaqësuesin ligjor të UEFA-s, Alasdair Bell për interpretimin e drejtë të Statutit dhe argumentimin e shkëlqyeshëm në favor të anëtarësimit të Kosovës, Jerome Champagne, këshilltarin e ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, të gjitha federatat simotra që më 3 maj votuan pro Kosovës, bashkëpunëtorët e FFK-së brenda dhe jashtë vendit, si dhe të gjithë Diasporën tonë që gjithmonë ishte në shërbim të kësaj çështje në të gjitha periudhat.
E gëzofshim përjetësisht e me shumë suksese të qenurit pjesë e familjes evropiane të futbollit!