Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë, kanë vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Me këtë rast, Haziri ka uruar kryetarin Naim ef. Aliu për rizgjedhjen në krye të KBI-së, duke e përgëzuar për punën dhe arritjet e mëdha që ka ky institucion.
“Në muajin e shenjtë të zbritjes së Kuranit që po fillon, në muajin e solidaritetit dhe humanizmit, uroj çdo besimtar që të ketë devotshmëri dhe përmes agjërimit ta përjetojmë ndjenjën e urisë dhe barazisë për të gjitha ata që nuk kanë, me ata që e kanë jetën më të vështirë.
Uroj çdo familje ta ketë sofrën e syfyrit dhe iftarit me bollëk. Uroj që ky mision për solidaritet të shkojë në çdo familje. Agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë”, tha kryetari i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri. /2LONLINE/