Kohëve të fundit, po vërejmë shumë zëra nga politikanë të Luginës që duan të përfshihen në negociatat me Serbinë , përmes ekipeve të Kosovës.
Shkruan: Kushtrim Kadriu
Kjo gjë nuk është diçka e re, pasi që të tillët, me kërkesa të njëjta janë turrur në secilën qeveri të Kosovës. Madje, disa prej tyre duke pasur edhe shtetësi të Kosovës, i ndërruan edhe librezat partiake ( të Kosovës) në varësi se cila prej tyre vinte në pushtet. Njëherë u bënë me LDK- në, pastaj me PDK- në e AAK- në, e disa shkuan aq larg sa u bënë edhe me PSD- në. Ndërsa, tani po iu servilosen dhe imponohen z. Kurtit.
Lugina duhet të jetë pjesë e bisedimeve, por ajo duhet të përfaqësohet nga kryeministri Kurti, njëjtë sikurse që interesat e serbëve të Kosovës i përfaqëson vetëm Vuçiçi. Nuk kanë çfarë kërkojnë në Bruksel politikanë të mahallave.
E kush prej p.sh. do ta përfaqësonte në Bruksel Luginën? 10- 15 parti me nga 4- 5 liderë të tri komunave me shqiptarë gjithnjë e më pak, do të duhej të shkonin të paktën nja 40 liderë, gjë që nuk ka sens.
Njëherë e mirë, liderët e Luginës duhet të mësohen me faktin se interesat e tyre duhet të kalojnë përmes Prishtinës zyrtare, pa marrë parasysh se kush ndodhet në krye të qeverisë. /2LONLINE.com/