Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut pranë Drejtorisë së Administratës t Komunës së Kamenicës, ka hapur fushatën sensibilizuese kundër “Trafikimit me Qenie Njerëzore”.
Kjo fushatë e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullatës së gjerë, dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi fenomenin në fjalë, ka filluar me mbajtjen e disa aktiviteteve. Së pari është vizituar Stacioni Policor në Kamenicë, më pas janë zhvilluar takime me nxënës e qytetarë, si dhe janë shpërndarë fletëpalosje lidhur me vetëdijësimin e qytetarëve, për parandalimin e “Trafikimit me Qenie Njerëzore”, me moton: “Mos hesht! Bëj diçka”, “NDAL trafikimin me njerëz”.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati, ka thënë se fushata kundër trafikimit me njerëz, e cila ka filluar më 19 tetor 2020 do të zgjas deri me 18 nëntor 2020.
“Duke e marrë parasysh pandeminë COVID-19 e cila po vazhdon të përhapet, do të mundohemi të japim kontributin në realizimin e aktiviteteve simbolike, në parandalimin dhe mbrojtjen e trafikimit me njerëz” theksoi ndër të tjerat Demolli Kastrati.
Ndryshe, edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë si shembull Komunën e Kamenicës për nisjen e kësaj fushate. /2LONLINE.com/