Ne bijtë e një kombi të ndarë – cikël poezish

Ne bijtë e një kombi të ndarë – cikël poezish

Bujar SALIHU

NE BIJTË E NJË KOMBI TË NDARË – (Cikël poezish )

DUKE E MBYLLUR HARKUN E KATËRT

Ti vije rrallë, vije si vetëtimë mes resh të përmbysura
Sylidhur në Malin e madh të harrimit as ëndërr s’mund t’shihja
Në këtë pikë nevralgjike druaja edhe nga ai mallkim i zi
Po mua vrulli i magjepjes nuk m’u shua kurrë për të takuar ty

Harku i katërt nuk ishte vetëm ai që unë e kisha ëndërruar
As nata për të cilën unë kisha kaluar vite nën qafë jargavani
Mbi majë shtize mollë e kuqe rritur në një baladë
Blozë gri heshtja jote me purpur muzgjesh përmbi

Po ti përsëri mund të jesh e lumtur në një ëndërr
Dhe ti përsëri mund të ëndërrosh lumturinë e vrarë
Pa mua që më le të plagosur në fushëbetejë
Me Sibilat në degë copëza klithmash gërmadhë

Shtatë vjet me radhë hije psherëtimash ngulitur
Si hiri i mbetur në një Shkritore të Shekullit të XVII
Re somnambule rënë rërës përvëluese prej dallgash
Apo shtiza gjëmash të rëna në gjethe nudo mbrëmë

Po ishte vetëm gjysma ime, gjysma tjetër aureolë epitafi
Kur të gjithë menduan se shpirti të ishte fundosur në oqean
Nga thellësia e liqenit u ngjite zog në qiell, me mua në krahë
Promete i lidhur me shkëmb në shpindë, mbi zjarrin e ndezur…

LETRA E SHTATË FAIK KONICËS

Nesër mund të më gjesh në vetminë e ngulfatur nga hijet
Aty si gjithmonë jam mes turma njerëzish të huaj
Në kërkim të pikës sime të fluturimit…

Në stinën time si zakonisht mund të fluturoj pa pyetur askënd
Po ti eja shpejt, sepse nesër mund bëhet vonë
Nesër mund të mbaroj stina ime
Ani se veç edhe sot pa krahë e pa atdhe jam

Hirësi, po nisem sot, po deshe edhe ti sot eja
Drejt tempullit tonë që si kërthizë të lidhur keq e kemi
Atje dielli lind fiks në orën pesë e dy minuta
Shpirti yt ndjesë pastë o Faik Konica

Sa mirë është të kesh Atdheun tënd, dhe një diell që lind ekzakt
Sa shumë na deshi robëria, po prapë të lirë jemi,
Po si thua ti nuk mjaftuaka veç liria…
Me shumë bajraktar që atdheun e shqyen si ujqërit gri
S’u bëka shteti me hashash, krimba e hajni
Dhe aso që Atdheun në letra bixhozi e kanë kthy
Epo eja po deshe o Faik Konica, kudo në trojet e Arbërit të ri
Të presim me tufa lulesh të zeza mbi…

PARAKALIMI MAJAVE
(Sali Çekut)

Nga një re e lartë kishte shikuar Atdheun
Po digjeshin edhe shtëpit e fundit
Në u prehtë hëna sonte, mëngjesi nuk është larg
Shkroi edhe dy fjalë mbi një gur dhe e rrokollisi nga ajo majë

Prilli shkundi piramiden e ankthit,
Rrasa e Zogut kuroj flatrat e plagosura
U shkrua edhe një faqe e re me ujë akulli gurgullimash
116 Kalorësit e bardhë u ngjiten qiellit
Sa sublim, sa hynor yje që ndriçojnë

Mëngjesin e fundit u foli burrava,
Sot nuk kam shumë për të thënë
U gdhim nga një natë e lagur, terr i zi hijenash
Do marshojmë në udhën tonë, po shkruajmë Kantatën 1999
Nesër futemi në Deqan një flamur Jusuf Gërvallës për t‘i lënë…

DRITA HYJNORE E KATANËS
(Agim Ramadanit)

Si në një legjendë, drita e Katanës po çante Adriatikut
Dallgëve të Limmatit* kish lën nusen e re me tre fëmijë
Dhe ishte ngjitur si një uragan mbi Rrasën e Zogut
Në natën e pare, hapi librin e Testamenteve dhe solemnisht
Shqiptoj betimin e ri: “Mallku qofsha nëse m’vrasin pa luftu”

Para portës së hekurt të qytetit që po pushkatohej
Nisi të vizatonte portretin gjigant të Adem Jasharit
Edhe këngën e ngrirë të Sibilave në xham aty e shkroi
Si në një jetë tjetër, bubullimash ëndërr për Atdheun
Plejadë kometash i binin e shuheshin mbi gjoksin e ti

Nën melodinë hyjnore të shirave të prillit nisi të bëhej lum
Për të larë kurmin e bërë copë nga të rënat e një shpate tehëzezë
Që po kullonin mbi sarkofagun e hapur të Mbretëreshës Teut
Dhe nisi të çmuros nusën e flijueme, rrokullisi edhe ca piramida…
Kur fluturoi qiellit, Liria u bë Rozafë e gjallë, si yll drite në ball

TË KESH ATDHEUN TËND
(Babës plak në ditën e 17-të të muajit shkurt)

Të shihja si nga fundi i një oqeani të trazuar
Të shihja si në ëndërr dhe në mëngjes nuk dija t’a tregoja
Ëndrrën që kisha parë
Fotomorganë, përfytyrimi im për Lirinë…

Prisja të binte shi e të më shkrinte kurorën e akullt si qefin
Të vinin fluturake Atlantiku, për t’i kthyer shpirt qytetit tonë tufan
Të shfaqeshin engjëjt, litarin nga qafa t’n’a e hiqnin
Ëndrra ime e bardhë mbështjellë në të zeza re morgu…

Pëshpërima e luleve të hekurta, melodi e ngrirë mbi pullaz
E nesërmja mund të ishte fatale për domethënien e betejave
Mbrojtja e Atdheut shenjë e mirë për kalimin në kohë tjetër
Natës së madhe të triumfit, s’mundnim pa pëshpëritur emrin tënd

Baba Plak më në fund po qante si fëmijë pa mundur të pyeste
Në ja kemi zhveshur gjithë magjinë e përplumbtë Atdheut
Urdhëroi edhe një herë t’i numërojmë varret, të rënët në luftë

Të dielen e presim solemnisht
Ne bijtë e një kombi të ndarë e të vrarë qe 100 vjet…

KOMENTE