Mesfushori i Kosovës, Herolind Shala, ka mbetur i lënduar dhe nuk pritet të rikuperohet për të marrë pjesët në ndeshjet e qershorit.
Gjatë muajit qershor, Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të Grupit A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Fillimisht, “Dardanët” do të përballen me Malin e Zi më 7 qershor në Podgoricë, ndërsa tre ditë më vonë do ta vizitojnë Bullgarinë në Sofje.
Mesfushori Shala e lëndoi muskulin e këmbës gjatë stërvitjeve me skuadrën e tij norvegjeze, Valerengan. Pas testeve mjekësore është bërë e ditur se ai do të mungojë për dy deri në tri javë.
Kapiteni i tretë i Kosovës bëhet lojtari i tretë në të cilin Bernard Challandes nuk mund të kërkojë ndihmë në ndeshjet e qershorit, pasi që edhe mesfushorët Valon Berisha dhe Hekuran Kryeziu janë të lënduar.
Për shkak të këtyre lëndimeve, trajneri Challandes ka ardhur me disa risi për këto dy ndeshje. Fillimisht, Florent Hadërgjonaj, i cili së fundi e ka shkëmbyer Zvicrën me Kosovën, përfshihet në këtë listë.
Përveç Hadërgjonajt, risi në skuadrën e Kosovës janë edhe Ibrahim Dresheviq, që luan për Heerenveenin, dhe Ylldren Ibrahimaj, që luan për Viking.