Me qëllim të eliminimit të keqinformimit dhe keqpërdorimit nga palë të ndryshme të rasteve që aplikojnë për trajtim jashtë vendit për sëmundjet që nuk mund të trajtohen në tërësi në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë informon publikun se, bazuar në legjislacionin në fuqi dhe dokumentacionin mjekësor, të prezantuar me rastin e aplikimit, ka mbështetur në vlerë prej 30 000 mijë eurove trajtimin mjekësor jashtë vendit të pacientit F.H., i prekur nga Leukemia akute.
I njëjti, në MSh ka aplikuar për trajtim mjekësor jashtë vendit më 6 dhjetor 2017, ndërsa miratimi i trajtimit jashtë vendit dhe fletëzotimi për ta realizuar trajtimin i është lëshuar pas dy dite, më 8 dhjetor 2017.
Shuma e ndarë është konform kritereve që i parasheh Udhëzimi Administrativ 03/2017 Trajtimi Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.
Krahas kësaj, MSh ka ofruar për pacientin në fjalë edhe opsionin e trajtimit falas në Republikën e Turqisë, sipas Marraveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar midis dy shteteve, me të cilën Turqia mbulon falas trajtimin e 100 pacientëve kosovarë në vit, në spitalet publike të këtij shteti.
MSh, gjithsesi, respekton të drejtën e pacientit për të zgjedhur spitalin për mjekim.