Profesoresha Arta Haziri – Nuhiu, drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Mollëkuqet”, po vazhdon përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në Bled të Sllovenisë, në Festivalin “Bled Golden Microphone”, Kosova u përfaqësua nga Qendra Kulturore“Mollëkuqet” nga Gjilani, me katër solistet: Elona Jakupi, Elza Hajdini, Djellza Rexhepi dhe Daorsa Sopa si dhe me drejtoreshën Arta Haziri – Nuhiu, si anëtare e jurisë profesionale.
“Solistet tona u nderuan me mirënjohje dhe medalje ari për performancat e shkëlqyera gjatë interpretimit të tyre”, thotë Arta Haziri – Nuhiu.
Përndryshe, pjesë e këtij festivali ishin pjesëmarrësit edhe nga shtetet si: Sllovenia, Kroacia, Malta, Bullgaria, Rumania, Mali i zi etj.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Mollëkuqet”, Arta Haziri – Nuhiu, i ka ftuar pjesëmarrësit për të qenë pjesë e festivalit internacional të këngës për fëmije që do të mbahet me datë 22 dhe 23 shtator në Gjilan.
Arta Haziri – Nuhiu është njëra ndër artistet më aktive në kuadër të reprezentimit të shtetit tonë me talentë të rinj në arenën ndërkombëtare. Kujtojmë se në muajin prill ajo ishte pjesë e festivalit për fëmijë në Bjellorusi ku kishte korrur rezultate shumë të mira.