Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, në emër të Ministrit Pal Lekaj, të martën ka pritur në takim delegacionin austriak të kompanisë ajrore “Eurowings” dhe “Lufthansa Group”.
Temë kryesore e këtij takimi ishte rritja e afarizmit ajror dhe fluturimeve, e për të cilën kompania “Eurowings” tashmë operon në Kosovë, por që synon stacionimin edhe të një aeroplani të ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si dhe angazhimin e një ekuipazhi vendor.
Me startimin e operimit të këtij aeroplani, do të rritet edhe zhvillimi ekonomik i vendit, ngase do të bëhet i mundur punësimi i të rinjëve kosovarë, ku për çdo fluturim do të punësohen nga tridhjetë pjesëtarë ekuipazhi. Përveç kësaj, në të ardhmen synohet që numri i të punësuarve të arrijë deri në 300, të trajnohen profesionalisht dhe të jenë të gatshëm të punojnë edhe nëpër destinacione të tjera nëpër botë.
Zëvendësministri Kadriu, duke pasur parasysh interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pohoi se një gjë e tillë, përveçse do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve të resurseve humane të Kosovës, gjithashtu do të luante një rol shumë të rëndësishëm edhe në stimulimin e tregut dhe zbritjen e çmimit të aviobiletave.
Në këtë mënyrë, MIT do të jetë e gatshme të mirëpres çdo kërkesë të parashtruar nga autoritetet austriake, si dhe të ofrojë çdo lloj mundësie brenda kompetencave të saj, deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes me kompaninë në fjalë.