Seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit

Seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit

Kuvendi Komunal në Kamenicë sot ka mbajtur seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Kamenicës.

Kryetari  i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se nuk duhet të harrojnë që ata që sakrifikuan e lanë pas vete një shoqëri solidare, një shoqëri të organizuar në blloqe të forta për të realizuar arsimimin, shëndetësinë, e luftën.

Sipas tij, ndonëse me suksese individuale, ashtu siç i kemi edhe në komunën tonë, sfida e shoqërisë sot është gjithëpërfshirja, drejtësia, e barabartësia.

“Edhe pse kemi individë në maja të sukseseve, rreth 30% e popullësisë në Kosovë është e varfër. Ndonëse kemi mjekë që me punën e tyre bëhen shembull nëpër botë, sistemi i shëndetësisë është ende i dërrmuar. Ndonëse kemi mësues brilantë, arsimi është një nga problemet tona më të mëdha”, u shpreh ai.

Mes tjerash kryetari Kastrati tha se sot kur festojmë 20 vjetorin e çlirimit, kohën, mundin dhe energjinë e tij ia dedikon përmirësimit të gjithëmbarshëm, barabartësisë në shoqëri, e drejtësisë për të gjithë.

“Unë e përgëzoj gjithësecilin që nuk mendon e nuk vepron njëdimensionalisht. Të gjithë kemi role të ndryshme në shoqëri dhe është borxh i yni për gjeneratat e ardhshme të përmbushim këto role sa më mirë. Duke qenë familjar i mirë, fqi i kujdesshëm, e bashkëqytetar korrekt.

Shënimi i Ditës së Çlirimit të Kamenicës është festë. Gëzuar çlirimin e Kamenicës e faleminderit që jeni bashkuar në këtë seancë solemne!”, përfundoi ai.

Të pranishëm në senacë ishte kryetari i OVL- UÇK-së në Kamenicë Milaim Limoni, familjet e dëshmorëve, asamblistë të kuvendit, qytetarë e zyrtarë komunal!

KOMENTE