Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e fundit, konform Rregullores ka miratuar logon e Kuvendit, bazuar në përzgjedhjen e jurisë profesionale.
Sipas Rregullores së Kuvendit, logoja vendoset në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete, të cilat organizohen nga Kuvendi.
Koncepti i logos
Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si instutcioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës. Pjesa e poshtme e logos simbolizon rreshtat e ulëseve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vija e mesme në pjesën e sipërme të simbolit paraqet ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Vijat anash, po ashtu në pjesën e sipërme, simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë.
Me bashkimin e të gjitha pjesëve, simboli pasqyron në mes hartën e Republikës së Kosovës, që, së bashku me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës. /2LONLINE/