“Ajo që vë re në Gjilan, është që kemi të bëjmë me një zonë me kriminalitetin më të ultë në rajon dhe ky është një shembull që duhet evidentuar, nga i cili mund të përfitojmë të gjithë nga Shqipëria, apo vendet e rajonit sepse ka të bëjë me një angazhim konkret të të gjitha institucioneve, të cilat merren me ligjin dhe rendin. Ajo që më bën përshtypje është që në Gjilan ekziston një lidhje shumë interesante, do të thoja organike, midis kulturës qytetare dhe kulturës së mbrojtjes së ligjit”.
Kështu ka thënë sot në Gjilan amabasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, pas takimit me kryetarin Lutfi Haziri, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryetari i Gjykatës Themelore, Zyhdi Haziri, kryeprokurori Jetish Maloku, drejtoresha e policisë regjionale, Elmina Mahmuti, komandanti i Policisë Lokale, Remzi Azemi sikurse edhe drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu.
“Unë mendoj që kjo eksperiecë këtu duhet të përhapet më tej dhe u dakorduam që ndoshta në një periudhë të shpejt të ketë një takim të përbashkët të pushtetit lokal rajonal, të institucioneve, prokurorisë, gjykatave, policisë, e institucioneve arsimore, për të dhënë këtë eksperiencë”, ka thënë Minxhozi.
Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar ambasadorin Minxhozi për ardhjen në Gjiilan, duke thënë se ai është njëri prej prej miqve më të mëdhenj që Komuna e Gjilanit e ka në këtë periudhë kohore.
Ai tha se Gjilanit, në katër vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë vrasje për motive të ulta, duke shtuar se edhe krimet tjera janë në rënie.
“Kjo vizitë i pason vizitat e fundit të presidentit Nishani, ministres Kodheli e kryeparlamentarit Ilir Meta. Ne po presim që në vazhdën e aktiviteteve ta bëjmë një lidhshmëri më të madhe, apo ajo që ne e themi ‘zbritja e Tiranës në Gjilan”. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kam gjetur mirëkuptim dhe bashkëpunim edhe nga ambasadori Minxhozi që të lidhet edhe regjioni i Anamoravës, jo vetëm Gjilani. Po punojmë që policia, prokuroria dhe gjykata shqiptare të vijnë në Gjilan, në mënyrë që t’i ndajmë përvojat. Gjilani është njëra prej komunave më të sigurta në regjion.”, ka thënë kryetari Haziri.