Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), u pritën në takim nga Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike Faruk Nura.
Kryetari i bordit Skënder Krasniqi theksoi që biznesët kanë nevojë për mbështetje nga institutcionet vendore. Kosova ka shumë mundësi për investime të huaja dhe duhet bashkëpunim i ngushtë në mënyrë që të krijojmë një klimë më të mirë të të bërit biznes, sepse me krijimin e klimës edhe invesitorët do të i realizojnë projektet e tyre në Kosovë dhe nuk do të kalojnë projektet në shtetet fqinje.
Drejtori i bordit, Hamdi Malushaj, shtoi që shteti duhet të bëjë analiza të ligjeve, pasi që kemi ligje të disbalancuara dhe mosfunksionimi i tyre po paraqet një problem të madh për bizneset. Andaj, OAK është e interesuar që të krijojë partneritet me institucionet për zhvillimin ekonomik. Ai gjithashtu shtoi se OAK është një ide e biznesit, e themeluar nga vetë bizneset në mënyrë që të i’u shërbejë bizneseve.
Po ashtu sekretari i bordit Diamant Elshani theksoi se Oda është e interesuar për krijimin e një infrastrukture më të mirë ligjore dhe të bashkëpunojmë me institucionet në mënyrë që të japim kontributin tonë në Ligjin për Investimet Strategjike në tërheqjen e investitorëve të huaj, çoftë ajo edhe për investime më të vogla se sa ligji për investime strategjike parasheh.
Zëvendësministri i Diasporës Faruk Nura premtoi mbështetje maksimale për bizneset, duke theksuar që vendi ecë përpara vetëm atëherë kur sektori privat është i zhvilluar. “Unë jam gati për të bashkëpunuar dhe të fillojmë aksionet me interes të përbashkët me projekte konkrete” – u shpreh më tutje Nura.
Të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim në çështjet me interes të zhvillimit ekonomik.
Në këtë takim Oda e Afarizmit u përfaqësua nga kryetari i bordit Skënder Krasniqi, sekretari i bordit Diamant Elshani, drejtori i bordit Hamdi Malushaj, koordinatorja Donika Gashi dhe zyrtarja Qendresa Ibrahimi.