Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga Inspektorja Gjenerale në FSK, gjeneral major Irfete Spahiu, ka pritur sot në takim një delegacion nga Komanda Evropiane e Forcave Amerikane (EUCOM), të udhëhequr nga Zëvendës Këshilltarja Civile për Politikë të Jashtme në EUCOM, Ambasadorja Kate Byrnes dhe Drejtori për Strategji, Plane dhe Politika në EUCOM, gjeneral major Daniel Lasica.
Në këtë takim u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në vend dhe rajon, ndikimin e luftës së Ukrainës si dhe për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Grupin e Kontaktit për Ukrainën.
Ministri Mehaj me këtë rast shprehu falënderim për mbështetjen e SHBA-së në të gjitha proceset e rëndësishme dhe theksoi interesimin e lartë për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike, në Programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO.
Në këtë takim, Ministri Mehaj njoftoi Ambasadoren Byrnes lidhur me përmbylljen me sukses të fazës së parë të Planit Gjithëpërfshirës së Tranzicionit, i cili është hartuar bashkërisht me Institutin për Qeverisje të Sigurisë (ISG).
Gjithashtu, tema tjera që u shtjelluan në këtë takim ishin edhe përgatitja për ushtrimin shumëkombësh Defender 2023, për rëndësinë e bashkë zbarkimeve të FSK-së me forcat aleate si dhe për pranimin dhe mbështetjen në strehim të refugjatëve afganë. /2LONLINE/