Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë takuar Guvernatoren e shtetit të Iowas, Kim Reynolds si dhe Sekretarin e Bujqësisë, Mike Naig. Gjatë këtij takimi është diskutuar për shumë çështje si për bashkëpunimin e ngushtë ushtarak, situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë dhe implikimet në rajon.
Me këtë rast, ata janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake e po ashtu të zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe në fushën civile, me theks të veçantë investimet në teknologjinë informative dhe fushën e bujqësisë, si dy sektor impakti i të cilave ndihet shumë në situatën aktuale gjeopolitike.
“Si një shtet evropian dhe proamerikan, zotohemi se do të vazhdojmë të jemi kontribues të sigurisë në rajon dhe botë, gjithmonë në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike të familjes së madhe evropiane, aleatëve tanë, e në veçanti ShBA-ve”, theksoi Ministri Mehaj me këtë rast.
Marrëdhënia në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowas është e veçantë, dhe nëpërmjet programit të partneritetit me Gardën Kombëtare të Iowas, ushtria e Kosovës është pjesëmarrëse e misioneve jashtë vendit dhe një hap më afër drejt anëtarësimit në NATO. /2LONLINE/