Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot ka pritur me nderime të larta ushtarake ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Yasar Guler (Yaşar Güler) dhe delegacionin e tij.
Ministri turk i mbrojtjes, në vizitën e tij zyrtare u prit në takime të ndara, fillimisht me ministrin Maqedonci dhe më pas me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Gjithashtu, pas takimeve të mbyllura, u mbajt takimi në mes të delegacioneve të larta të të dyja vendeve.
Në konferencën për media ministri Maqedonci shprehu mirëseardhje homologut të tij dhe e falënderoi Republikën e Turqisë për gjithë ndihmën që i ka ofruar shtetit të Kosovës përgjatë çdo etape të zhvillimit.
Më tej, ministri Maqedonci theksoi se: “Republika e Turqisë ka qenë dhe vazhdon të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës dhe se bashkëpunimi mes vendeve tona është ndërtuar mbi shtylla të forta të parimeve dhe besimit reciprok, prandaj si i tillë ai do të vazhdojë të thellohet dhe patjetër që do të jetë i qëndrueshëm në kohë”.
Gjithashtu, ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen për mbështetjen që kemi marrë nga shteti mik përgjatë secilës fazë të zhvillimit të ushtrisë sonë, qoftë përmes realizimit të trajnimeve të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive, edukimit të ushtarakëve të rinj, e po ashtu ngritjes së kapaciteteve luftarake, përmes realizmit me sukses të blerjeve shtet më shtet, të cilat kanë përmbushur nevojat e furnizimit të përcaktuara sipas objektivave të planit të zhvillimit.
Në këtë aspekt, me theks të veçantë, ministri Maqedonci ka kërkuar nga ministri Guler mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe dhe ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO, si rrugë që garanton stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, ministri Yasar Guler, theksoi se bashkëpunimi në mes të dy vendeve tona po thellohet çdo ditë e më shumë dhe se Republika e Turqisë po bën përpjekje të mëdha në integrimin e Kosovës në organizatat euroatlantike.
“Ne e përkrahim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, unifikimin me institucionet euroatlantike dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ministri Guler duke vazhduar me zotimin se detyra e Komandantit të KFOR-it do të realizohet me neutralitet dhe transparencë të plotë. /2LONLINE/