“Ministria e Financave me Agjencitë e saja vartëse (Dogana dhe ATK) kanë kontribuar me mbi 83% në totalin e pranimeve të periudhës 6 mujore, ose rreth 90% të hyrave buxhetore”, bëri të ditur sot ministri i Financave Bedri Hamza, në konferencën për Media ku prezantoi Raportin financiar gjashtëmujor për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.
Sipas Ministrit Hamza, si rezultat i pranimeve më të mëdha sesa pagesat për periudhën janar-qershor 2018, bilanci i fondeve është rritur për 15.5 milionë Euro përkatësisht 3% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë paraprake. Prandaj, bilanci i fondeve më 30 qershor 2018 rezultoi 373.3 milionë euro.
Sa i përket të hyrave për gjashtëmujorin e parë të vitit, Ministri Hamza, bëri të ditur se “Të hyrat tatimore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 në raport me vitin 2017 u rritën nga 663 milionë në 705 milionë euro, rritje kjo për 42.3 milionë euro, ose 6.4% krahasuar me periudhën paraprake.
Sa i përket, Shpenzimeve për paga dhe mëditje, sipas ministrit Bedri Hamza, ato shënuan vlerën prej 293.8 milionë euro gjatë këtij gjashtëmujori që paraqet një rritje prej 19.65 milionë euro më shumë krahasuar me gjashtë mujorin e vitit 2017. Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i rritjes së pagave sipas legjislacionit në fuqi si dhe zbatimit të vendimit për ngritjen e pagave”.
“Shpenzimet në subvencione dhe transfere regjistruan shumën prej 253.6 milionë euro, që paraqet një rritje prej 22.7 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kjo rritje vjen si rezultat i fillimit të implementimit të tri skemave të reja sociale për herë të parë në Kosovë: Pagesa për personat e pa aftë në vendin e punës, skema për pagesë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe pagesa për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 183 milionë euro, që paraqet një rritje prej 23.7 milionë euro, ose rreth 15% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, duke arritur kështu normën e ekzekutimit të kënaqshme që është në përputhje me planifikimin tonë.
Sa i përket borxhit shtetëror, Ministri Hamza bëri të ditur se ka arritur ta stabilizojë nivelin e rritjes së borxhit publik, e cila në nivel të BPV-së është zvogëluar për 0.4%.
Ndërsa për këtë gjashtëmujor janë marr grante 65.5 milionë €, ndërsa për tërë mandatin janë marr grant 94.1 milionë €.
Ministri Bedri Hamza, në këtë Konferencë për Media gjithashtu bëri të ditur se me datën 30.07.2018 Republika e Kosovës për herë të parë, në 10 vjetorin e shtetësisë, emetoi me sukses të plotë obligacionin 10 vjeçar në shumë prej 10 milionë euro. Ky aktivitet tregoi interesim të madh nga publiku, të cilët ofertuan në tregun e lirë, duke ofruar 13.38 milionë euro, ndërsa norma e kuponit (interesit) u përcaktua nga tregu 5.2%.