Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur sot në takim një delegacion francez në krye me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë Didier Chabert, ku diskutuan në lidhje me zhvillimet në fushën financiare në Kosovë, me theks të veçantë aktivitetet dhe përgjegjësitë që janë në domenin e Ministrisë së Financave.
Me këtë rast, Ministri Hamza e njoftoi ambasadorin Didier Chabert për zhvillimet në Projektin e ndërtimit të Fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza, i cili është projekt i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, si dhe e falënderoi për përkushtimin e Qeverisë franceze për të ndihmuar Kosovën në projekte të tilla që përmirësojnë mirëqenien dhe jetën e qytetarëve të saj.
Gjatë këtij takimi Ministri Hamza shfrytëzoi rastin që ta falënderojë shefin e deritanishëm të Shërbimit Ekonomik Rajonal të Sofjes Jean-Marie Demange për bashkëpunimin dhe kontributin e tij në Kosovë, dhe gjithashtu i uroi mirëseardhje dhe i ofroj bashkëpunim shefes së re të Shërbimit Ekonomik Rajonal të Sofjes Florence Dobelle, të cilët ishin pjesë e këtij takimi.
Ndërsa, ambasadori francez Didier Chabert e falënderoi Ministrin Hamza për bashkëpunimin dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit francez për mbështetjen edhe në të ardhmen të institucioneve të Kosovës në rritjen e bashkëpunimit në aspektin ekonomik dhe politik. Ai gjithashtu shprehi përkushtimin e qeverisë franceze në vazhdimin e procesit të implementimit të Projektit për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza që po financohet me huamarrje nga thesari francez.