Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha priti sot në takim në mjediset e ministrisë, për herë të parë që nga emërimi në detyrë, ambasadorin fuqiplotë të Republikës së Italisë në Republikën e Kosovës Piero Cristoforo Sardi me bashkëpunëtorë.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe ambasadorit Sardi u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet shtetit të Italisë dhe shtetit të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin e mirë dhe produktiv në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Italisë.
Fillimisht, ministri Berisha shprehu falënderimin e tij për popullin dhe Qeverinë e Italisë për gjithë ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të kontingjenteve ushtarake në kuadër të KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë.
Më tej, ministri Berisha e njoftoi diplomatin italian z. Sardi mbi zhvillimet në FSK dhe planet për të ardhmen, duke potencuar faktin se çështje imediate është transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, për të cilën institucionet më të larta vendore marrin vendim, atëherë kur të arrihet konsensusi i plotë brenda vendit dhe koordinim me partnerët strategjikë dhe vendet mike të Republikës së Kosovës.
Nga ana e tij, ambasadori italian z. Piero Sardi duke i uruar ministrit Berisha detyrën e re, konfirmoi qëndrimin e shtetit italian për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe konkretizimin e tij me aktivitete dhe shkëmbime të përbashkëta.
Në fund ambasadori italian përgëzoi ministrin Berisha për të arritura e FSK-së, duke u shprehur bashkëpunues dhe mbështetës i Kosovës dhe FSK-së në fushën e sigurisë.