Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2022”, njëra ndër katër shtyllat e Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” ka vazhduar rrugëtimin e saj me shfaqjen e natës së parafundit, ku në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit erdhi Teatri “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “GOF”, nga Anton Pashku, me dramaturgji dhe regji nga Shkëlzen Berisha.Drama “GOF” e Anton Pashkut është cilësuar si vepra e parë shqiptare e absurdit, e që në rrafsh formal, stilistik e tipologjik është unike, erdhi sonte për artdashësit gjilanas e më gjerë, duke e pasuruar me konvencione të reja dramaturgjikisht dhe për nga teknikat regjisoriale:
Nën këtë dritë të re dramaturgjike ngjarjet na çojnë në një kasolle malit përpjetë, ku kanë mbetur të ngujuar tre alpinistë, që ishin nisur për të shkuar në bjeshkët e nemuna, e që të izoluar nga orteku dhe në përpjekje për të mbushur kohën e pritjes, ata përshkojnë një rrjedhë historike të jetës së shqiptarëve ndër shekuj dhe përplasjeve të mëdha që kanë shoqëruar këtë histori, të ngjarjeve më të mëdha që shqiptarët kanë kaluar e deri më sot.
Mes durimit e mosdurimit të personazheve shfaqen copëza të shkëputura nga fjalimet e Skënderbeut, periudha e pashallëqeve, gjurmë të përpjekjeve për shtet, pjesë nga luftërat me të huajt, moskuptime mes vetes…
Synimi i përgjithshëm ishte që përmes thumbit e ironisë të nxitje reflektim, jo mesazhe. Kjo shfaqje që qëndron nën ombrellën e absurdit, ka ecur në këtë rrugë të re duke u pasuruar edhe me shtresime të satirës, sarkazmës dhe edhe momente surreale e një ngjyrim të zbehtë fizik të burleskës.
Përndryshe, në shfaqjen: “Gof” me autor Anton Pashku e me dramaturgji e regji nga Shkëlzen Berisha, luajtën: Amri Hasanlliu, Endrit Ahmetaj, Julian Hurdha.
Kënga: Mihal Kaçi, Ketjona Pecnikaj; As/regj Mihal Kaçi; Skenografia: Divni Gushta; Kostumograf: Frenci Gjerasi.
Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar, pritet të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, që është prodhim nga “Integra”, me këtë rast edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të parapara dhe do të përmbyllet Festivali i sivjetmë i Dramës Shqipe, por jo edhe aktivitetet e “Flakës…”, që do të vazhdojë deri më 31 janar, ku sipas programit janë të parapara aktivitetet muzikore (Festivali i muzikës për fëmijë dhe i muzikës popullore) dhe ajo letrare (Ora e Madhe Letrare). /2LONLINE/