Një datë, një ditë, një histori që do të ndërroi gjeopolitikën dhe gjeografinë e botës, një ditë që do shënonte për herë të parë në historinë e njerizimit një madhështi njerëzore kur shtetet demokratike të botës, mike të shqiptarëve u rreshtuan në anën tonë, me mençurinë e Njeriut që ndërroi kohën dhe ktheu drejtësinë.
Janë këto ditët e besës dhe shpresës që i quante Presidenti Rugova. Edhe pse të mbuluar nga zullumi famëkeq serb, prapë në shpirtrat tanë gjallëronte shpresa për ditë të bardha.
Shabi Azemi – (Babushi), Llovcë
Lufta e vitit 1999 edhe Karadakun e Gjilanit kishte mbuluar me krime nga dora gjakatare serbe, të cilët nuk kursyen as gra, pleq e as femijë. Velloja e trishtimit kishte mbuluar edhe fshatin Llovcë të Gjilanit dhe aty më datën: 05 Prill të vitit 1999 masakrohen: Rahim Ymeri, Xhevrie Zeqiri, Nexhmie Azemi, Sami Xhelili, Avdi Rexhepi nga fshati Kokaj, Rabit Dalipi, Xhemail Xhemaili si dhe karbonizohen Rahim Ymeri me tezen e tij Xhevrie nga fshati Ranatoc.
Tani më edhe si Kryetar i këshillit të fshatit Llovcë, i kujtoj ato momente si ditë tmerri ku thuajse kishte vdekur shpresa dhe gjithçka mbante aromë lufte e mbuluar nga tmerri i dorës gjakatare serbe.
Ishin momentet më të rënda që kishin përjetuar banorët e Llovcës, kur nga një ofensivë serbe nuk u kursyen as jetët e njerëzve të pafajshëm e as shtëpitë dhe pasuri tjetër me të cilën dispononin banoret e Llovcës.
Ishin këto ditë që të turbullonin trurin dhe shpirtin por ishin momente të rënda ku gjakpirësit serb masakronin e djegnin gjithçka që mbante emër e gjak shqiptari. Dhimbja ishte njëjtë për të gjitha viktimat që masakroheshin nga gjakatarët serbë, sepse që të gjithë ishin, nëna, motra, vëllezër dhe të afërm- pra ishin shqiptarë, ishin dhimbje për ne dhe mbarë shqiptarinë.
Me këta pak rreshta desha të kujtoi se të gjithë shqiptarët e të gjitha moshave që ishin vrarë dhe masakruar nga armiku, ishin dhe do të mbesin martirë të kësaj toke të Shqipërisë së vjetër e që sot mbanë emrin Republika e Kosovës.
Për fund, edhe në këtë përvjetor të madh të dhimbjes dhe krenarisë kombëtare, duke i kujtuar të rënët kërkojmë nga organet e drejtësisë që të bëjnë më shumë në zbardhjen e rastit si dhe që kriminelët të cilën janë të njohur të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimet e merituara.
Kërkojmë që këto të mos harrohen ngase gjaku të rënëve na mallkon, andaj apel drejtësisë, mos i fusni veshët në lesh, por veproni ngase dosjet e krimeve deri sa nuk zgjidhen shpirtrat e të rënëve nuk do të ndihen rehat.
Njëherësh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të rënëve në altarin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovë nënë!
Lavdi gjithë të rënëve për Lirinë Kosovës!