Nga data 28. 11. 1944 deri më 21. 1. 1945 pushteti serbo-komunist likuidoi mbi 2.000 qytetarë të respektuar të Pazarit të Ri, Senicës dhe Tutinit, të cilët i varrosën në Vakëfin “Mearif” në Haxhet, aktualisht lagje e Pazarit të Ri (Novi Pazar).
Ismet AZIZI
Për ta mbrojtur vakëfin dhe vendin e viktimizimit të paraardhësit e tyre, sanxhaklinjtë të udhëhequr nga kreu i bashkësisë islame, më 4 shtator 2010 u përleshën me pjesëtarët e njësive speciale të policisë serbe.
Kjo është arsyeja pse kjo datë u shpall ditë e kujtimit dhe lutjeve për viktimat e pafajshme në Haxhet të qytetarëve më të respektuar të Sanxhakut lindor.
Bashkësia Islame në Serbi dhe Bashkësia Kulturore Boshnjake organizon tradicionalisht marshimin në Haxhet dhe një lutje për të rënët.
Marshimi zakonisht fillon nga Sheshi Gazi Isa beut(themeluesit të qytetit) në Pazarit të Ri deri te Vakufi Mearif në Haxhet, që kësaj radhe i bie të jetë ditë e hëne më 4 shtator 2017.
Tubimi do të fillojë në Sheshin pas namazit të mesditës në orën 13:30.
Organizatorët ftojnë familjarët, që edhe me këtë 4 shtator së bashku të marshojmë rrugëve të Pazarit deri tek vendi i ekzekutimit në Haxhet të paraardhësve tanë, dhe së bashku me udhëheqësit fetarë të lexojmë lutje për dëshmorët.
Të përkujtojmë se pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve Aqif Efendi Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Pazarin e Ri dhe mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacin u pushkatuan në Haxhet (pra në lagjen e sotme të Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Në shenjë përkujtimi dhe falënderimi për veprën dhe heroizmin e Aqif Blytës dhe bashkëpunëtorëve të tij, mandej vullnetarëve shqiptarë nga Kosova në krye me Shaban Polluzhën, Mulla Zekë Bërdynën , Sak Fazlinë etj., do të merr pjesë këtë manifestim përkujtimor, për herë të parë edhe delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe si zakonisht delegacioni i organizatës “Kosova për Sanxhaku“