( Fetah Maliqi: “Rruga e maratonit”, vëllim poetik me poema, botoi SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2017 )
Sabit RRUSTEMI
Fetah Maliqi, hyn në radhën e atyre krijuesve që, letërsisë i qasen vonë dhe, duke i dhënë vepra të shpeshta, përpiqen për ta kompensuar kohën që iu ka ikur pa e shkrirë mendjesh në letrën e bardhë.
Këtë që po e them, e ilustroij pikërisht mbështetur në veprat e tij.
Diku para dy vitesh, ka botuar dhe përuruar veprën e parë “S’të harroj vendlindje”, botuar nga Shtëpia ZGJIMI ( 2015 ) dhe, pas dy vitesh, po këtu në Gjilan, po e përuron veprën e tij të pestë, që ka botuar këto ditë përmes Shtëpisë Botuese “ROZAFA” nga Prishtina, përmes së cilës, vitin e kaluar ka botuar dhe dy libra poetikë, “Flokët e vuajtjes” dhe , “Re të zeza ende mbi tokë”.
Një volum të tillë poetik, e ndeshim rrallë , madje, e aq më pak te poetët e mirëfilltë , të cilët të vetmen punë që bëjnë kanë shkrimin. Çuditërisht, kjo nguti në të shkruar dhe në publikimin e krijimtarisë, te Fetah Maliqi, nuk rritet vetëm në sasi, po, edhe në cilësi.
Nga vepra e parë, deri te kjo e pesta, në këtë interval kohor prej dy vitesh, Fteah Maliqi shënon ngritje dhe, në bazë të asaj që shihet e lexohet dhe ka mbetur brenda kopertinave, ai, pikërisht është formësuar si poet.
Natyrisht, puna e tij e ngulmtë në shkrimin e poezisë e ka bërë të veten, mbase dhe stafi apo njerëzit që kanë pasur nëpër duar krijimet e tij , kanë ndikuar që ky poet, brenda një kohe të shkurtër, t’iu qaset e t’i vargëzojë njëra pas tjetrës, edhe poemat, të cilat i gjejmë dhe i kemi në librin më të ri të tij, RRUGA E MARATONIT.
Lënda e parë poetike, te ky autor, mbetet edhe mëtutje e kaluara jonë, qoftë ajo e largët apo e afërt, por, e kundruar nga koha e sotshme dhe, përmes një mbarështrimi poetik, anise aty – këtu i përvidhet edhe narracioni që i jep ngjyra deklarativizmi poezisë së tij por, që pa e zbehur materien poetike.
Vëllimi i tij me poema, RRUGA E MARATONIT, nis me emrin e të madhit Skënderbe, heroit tonë kombëtar dhe, përmbyllet me poemën për njërin nga intelektualët dhe veprimtarët tanë të rrallë, doktor Xhavit Ahmetin, të cilin për dallim nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që e ka njohur nga historia, këtë të fundit e ka njohur, prekur dhe takuar edhe për së gjalli, meqë edhe fizikisht nuk e ka pasur larg. Sepse, edhe ashtu, Përlepnica, që është vendlindje e Xhavit Ahmetit, ndodhet ngjitas apo fqinje e vendlindjes së poetit Fetah Maliqi.
Brenda këtyre dy figurave të shquara, të cilat, dihet, kanë jetuar e vepruar në një distancë kohore prej pesëqind e sa vitesh, shtjellohen poetikisht dhe përmes gjuhës poetike edhe heronjtë e shquar të kësaj pjese shqiptare si, Adem Jashari, Idriz Seferi, Isa Boletini, Mulla Idriz Gjilani, Ibrahim Rugova , Agim Ramadani, Ramiz Cërnica, Hysen Tërpeza, Zija Shemsiu, Ismail Maliqi e Sali Çeku .
Të gjithë këta heronj të kësaj vepre, të përzgjedhur nga autori prej qindra e qindra të tillësh, trasojnë rrugën e maratonit i cili nuk ndalet së vrapuari nëpër kohë për ta arritur cakun që është thjeshtë, paqja e përjetshme e tij dhe, liria jonë.
Mënyra e komunikimit me këto figura të shquara të historisë sonë, në veprën poetike të Fetah Ahmetit, RRUGA E MARATONIT, është e nduarduart, si në formë, ashtu dhe në përmbajtje, duke u përpjekur gjithnjë për t’i ruajtur në këtë komunikim, nuancat poetike, pavarësisht përmendjes herë – herë të datave, të viteve, të emrave e vendeve ku kanë vepruar heronjtë e poemave të tij.
Po sjell disa shembuj:
Nuk derdhet një bukë ndihmë, po vuan liria
Që është bërë Shqipëria vetëm lëkurë e asht
( Poema, O SKËNDERBE, faqe 14 )
Malli I shitjeve po kalonte orën e fundit
Të ndërgjegjes së natës
Qiejt qenë fshehur nëpër bodrume të farsës
( Poema ADEM JASHARI, faqe 33)
Kaq gjatë Evropa plakë e çmendur
Mbetet monstrum indifferent
Dhe kur na shfaqet
pak dritë në horizont
prapë na braktis në terr
( Poema IDRIZ SEFERI, faqe 44 )
Dhëmbët e ndryshkur nuk mprehen dot,
E di këtë dheu I gjallë toke të lashtë
Flaka pi flakën, zjarri ha zjarrin
Fluturojnë shpendët me krah drame.
( Poema ISA BOLETINI, faqe, 56 )
Pëlcet shpirti, merren mendët,
S’hahet, as pihet, bukë, ujë,
Po thoshte me fjalë pak:
“ Me dy mendje nuk shkohet
as në faltore
e dihet se vetëm një rrugë
ekziston për liri,
jo dy, tri apo dhjetë “
( Poema MULLA IDRIZ GJILANI, faqe 66 )
E kështu, shembuj të tillë e me mesazhe të qarta , të thëna me gjuhë arti gjenë edhe në poemat tjera të këtij vëllimi poetik, i cili meriton një qasje edhe më kritike e shterruese por, në raste tjera, kur ky libër , pas këtij përurimi, nis ta bëj jetën e tij, duarve të lexuesit .
( E lexuar në përurimin e këtij libri, në Bibliotekën e Qytetit, Fan S. Noli”, në Gjilan, më, 29 prill 2017 )