Kalkulimet që mund t’i bëjnë subjektet politike që dëshirojnë të hyjnë në koalicion qeverisës me LDK-në, partinë fituese në Gjilan, duket se nuk mund ta përfshijnë në to edhe çështjen e pozitës së nënkryetarit të komunës. Kjo, për faktin se kreu i Komunës Lutfi Haziri – Luta , e ka përsëritur edhe të shtunën atë që e kishte deklaruar edhe më herët, se çështja e nënkryetarit është punë e kryer dhe i takon LDK-së.
Siç e dimë, në qeverisjen paraprake, këtë pozitë LDK-ja ia kishte dhënë partnerit të koalicionit, AAK-së, por se, burimet e Portalit 2LONLINE, thonë se së paku dy nga tri subjekte politike, që pretendojnë këtë pozitë, do ta nxjerrin si kusht kryesor në tavolinën e bisedimeve, nëse LDK-ja i do për partnerë në qeverisje, natyrisht krahas hises tjetër që mund ta kërkojnë për drejtori.
Në anën tjetër, deklarimet e kreut të komunës Lutfi Hazirit, që njëherësh është edhe kryetar dege i LDK-së në Gjilan, se pozita e nënkryetarit të komunës është e konfirmuar dhe se nuk është pozicion me të cilën mund të bëhen kompromise me subjektet tjera politike, mund t’i vështirësojë bisedimet për koalicione të mundshme.
Haziri ka kujtuar mbështetjen qytetare që ka pasur për tu zgjedhur kryetar, për të shtuar se si kryetar komune, besimin e ka marr përtej LDK-së dhe se LDK, si parti fituese i takon kryesuesja, e cila edhe u zgjodh dhe se kur jemi te konsensusi me subjektet tjera, është për një konsensus të gjerë, por se nuk mund të ketë në kurriz të pozitës së nënkryetarit.