Haziri ka opsionin e tij për të qeverisë me Gjilanin edhe pa koalicione

Haziri ka opsionin e tij për të qeverisë me Gjilanin edhe pa koalicione

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka paralajmëruar se në fillim të marsit mund ta emërojë përbërjen e re të kabinetit të tij qeverisës, duke i emëruar drejtorët e Drejtorive Komunale.

Haziri thotë, se janë dy opsione për të ndërtuar qeverinë komunale, duke u deklaruar kështu i hapur dhe i interesuar për një konsensus më të gjerë me subjektet politike, por edhe me shoqërinë civile e grupe tjera të interesit, për ta ndërtuar një qeverisje të gjerë, në interes të të gjithë qytetarëve.

Por, në anën tjetër, ai shtoi se nuk do të bie pre e trysnive nga subjektet politike dhe se edhe pse preferon opsionin e një qeverisje gjithëpërfshirëse, ka edhe opsionin tjetër, një qeveri të vogël, pra të qeverisë, pa pasur nevojën e koalicioneve.

Kreu i Komunës tha se nuk ka vakuum institucional edhe pse nuk ka marrëveshje politike për koalicion, për të shtuar se në parim i kanë takuar të gjitha partitë politike dhe e di gatishmërinë e shumicës prej tyre.

Haziri ka kujtuar votimin për kryesuese të Kuvendit që sipas tij i ka dhënë atij një vlerësim që Kuvendi Komunal ka pjekuri politike dhe ka kaluar përtej një partie politike, sepse është bërë votimi pa asnjë kusht.

“Ishin 25 anëtarë të Kuvendit që kanë votuar për kryesuesen e Kuvendit, që ishte nominuar nga radhët e LDK-së, edhe pse nuk kemi pasur marrëveshje politike”, ka thënë për 2LONLINE, Lutfi Haziri, për të shtuar se kjo pjekuri politike është shenjë e mirë që duhet të punojnë edhe në ndërtimin e Bordit të Drejtorëve në një kulturë dhe në një logjikë të tillë gjithëpërfshirëse.

Megjithatë, i pari i komunës, thotë se pjesëmarrja e partive politike në koalicion më të gjerë është vullnet i tij politik, për ta ndarë përgjegjësinë dhe legjitimitetin në mënyrë që me e zgjerua konsensusin dhe se është për këtë opsion, por jo në dëm të pozitës, andaj është po ashtu shumë i gatshëm me bë edhe qeverisje të vogël.

Ai thotë se edhe pse vet ai e favorizon opsionin e qeverisjes së gjerë, dhe se është i gatshëm me ndërtua koalicion me të gjitha partitë politike, e ka edhe opsionin e qeverisjes së vogël, për të cilin opsion, po ashtu është i gatshëm, pra me qeverisë edhe pa koalicion, në këtë formulë që e kemi aktualisht në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

KOMENTE