Kur jemi te zhvillimet e fundit politike në vend, rreth krijimit të institucioneve të vendit, shihet se deri më tani nuk po japin fryt as takimet konsultative të partive politike, e më pas as seancat e Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë që, dita ditës, po ashpërsohet edhe gjuha politike mes rivalëve.
Për të mërkurën është paraparë edhe një takim konsultativ, ndërsa për të enjten seanca e Kuvendit, por referuar deklaratave të politikanëve të të gjitha taborëve, duket se zgjidhja e pranueshme që do t’i kënaqte palët, është larg.
E, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri-Luta, në një prononcim për Portalin 2LONLINE, është shprehur hapur se nuk po sheh zgjidhje të qëndrueshme që do të ofronte njëherë e mirë zgjidhje por edhe stabilitet, prandaj ai e sheh mundësinë e daljes nga kjo situatë, përmes zgjedhjeve të reja nacionale.
“Opsioni i zgjedhjeve të reja është opsioni më i qëndrueshëm për mua” , ka thënë Haziri për 2LONLINE.
Përndryshe, Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se për të enjten në orën 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstitutive. Seanca ka vetëm një pikë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.
Është me pikëpyetje pjesëmarrja e PAN-it edhe në këtë seancë.