Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka shkruar në profilin e tij në facebook, se pas ndalesës që i kanë bërë importimit të lodrave të tregut aziatik (Kina) që nuk i plotësojnë kriteret dhe janë me rrezik të lartë, inspektorët e MTI-së, nga e hëna do të fillojnë zbatimin e një plani operativ rigoroz për konfiskimin e këtyre lodrave edhe në tregun e brendshëm.
Ja postimi i plotë i ministrit Hasani:
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që nga marrja e analizave të lodrave që kanë rezultuar të rrezikshme është shumë e shqetësuar. Pas ndalesës që i kemi bërë importimit të lodrave të tregut aziatik (Kina) që nuk i plotësojnë kriteret dhe janë me rrezik të lartë, inspektorët tanë nga e hëna do të fillojnë zbatimin e një plani operativ rigoroz për konfiskimin e këtyre lodrave edhe në tregun e brendshëm.
Po ashtu, jemi duke e pritur edhe lejen e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit që ta bëjmë asgjësimin e të gjitha lodrave të konfiskuara.
Për të gjithë hapat që do të marrim do të ju njoftojmë në ditët në vazhdim.