Kosova sidoqoftë, është projekt amerikan!

Kosova sidoqoftë, është projekt amerikan!

Që dialogu me Serbinë është nis mbrapsht, këtë nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. Kosova ka hy në dialog pa kushte, pa kërkesa dhe pa afatizime, dhe kjo e ka koston e saj, sikurse edhe marrëveshjet brukseliane ishin totalisht një dështim, sepse sot e asaj dite nuk kemi materializim të tyre.

Shkruan: Ardian Azemi

Sidoqoftë, jemi këtu ku jemi. Serbia gjithnjë më afër BE-së, hatri i këtij dialogu, ndërsa Kosova ende në lobim për heqjen e vizave. Pra, dështuam!

Sot kemi një situatë ndryshe. Meqë dyja palët negociuese po i afrohen finales së madhe, apo “historike” siç e kanë emërtuar, disi më krijohet përshtypja se lojtarë të mëdhenj janë bërë pjesë e lojës në Bruksel.

Ne shqetësohemi për gjithçka; për ndarje të Kosovës, shkëmbim të territoreve, korrigjim të kufijve, asociacionin me kompetenca ekzekutive, madje akuzojmë për tradhti ndaj shtetit, por asnjë nuk e dimë çka realisht po ndodh në Bruksel. Mungesë e transparencës, sigurisht!

Mbajmë mend kur Ramush Haradinaj kishte marrë detyrën si kryeministër i Republikës së Kosovës, pati kërkuar me ngulmë që pjesë e dialogut në Bruksel, të jetë edhe një palë tjetër; amerikanët.

Pas kësaj kërkese, kryeministrit Haradinaj sikur nuk i bënte përshtypje procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje, jo shumë moti pati deklaruar se nuk është njeri i tavolinave! Kjo deklaratë e kryeministrit pati provokuar shumë reagime, disa thoshin se kjo vjen nga paaftësia e tij për të dialoguar, disa mendonin se është indiferent karshi këtij procesi të ndjeshëm që po përballet Kosova tani e sa vjet, ndërsa unë mendoj se nuk qëndron as njëra e as tjetra.

Nëse marrim për ta shtjelluar kërkesën e Haradinajt për përfshirjen e amerikanëve në dialog, pastaj deklaratën se ai nuk është njeri i tavolinave, dhe së fundmi qëndrimin këmbëngulës të presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve por assesi ndarje dhe shkëmbim, vijmë në përfundim se amerikanët e kanë kryer këtë muhabet.

Nëse amerikanët tanimë janë pjesë e lojës në Bruksel, ku Kosova e Serbia dialogojnë, varësisht nga interesat e tyre strategjike në Ballkanin Perëndimor, ekziston mundësia që të jetë marrë vendimi që Kosova ta ruaj tërësinë territoriale të saj, ndërsa ta aneksoj Luginën, respektivisht Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Kjo mund të ndodh për shkak se dihet botërisht për shkeljen e të drejtave elementare të shqiptarëve në këtë pjesë, dhe më e rëndësishmja, humbjen e shansit që rusët të shtrijnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor përmes Kosovës, gjegjësisht veriut të saj.

Një gjë duhet kuptuar njëherë e mirë, Kosova vepron sipas projekteve amerikane, dhe çdo kush që thotë ndryshe, e ka për konsum të brendshëm, ose fare nuk është i informuar me realitetin e krijuar tani e nëntëmbëdhjetë vjet në Kosovë.

Opozita angazhohet për me ia shkurtua jetën pushtetit, dhe kjo është normale. Por është e pa kuptimtë forma dhe metoda përmes së cilës mendon të vij në pushtet. Jo, është e pa mundur ardhja në pushtet duke mos u pajtuar me asgjë në që ka ndodh dhe po ndodh në këtë vend.

Është idiotizëm me thënë se Kosova është mirë, sikurse me thënë se kurrgjë e mirë nuk po ndodh këtu. Pra, shpejt do ta kemi marrëveshjen me Serbinë, të cilën nuk dua ta paragjykoj se si do të duket, çka do të fitojmë ose humbim, sepse sikurse unë, as edhe ju nuk e dini çka realisht po ndodh atje (në Bruksel).

Heqja e regjimit të vizave është në proces, dhe shpejt kemi me shijua ndjenjën e lëvizjes pa pas nevojë me pritë para ambasadave. Ushtria do të bëhet, sepse kjo nuk ka mundësi të shtyhet tutje edhe po deshëm ne.

Gjithçka që ndodh në këtë vend, nëse jo të gjitha me plan amerikanë, me përkrahjen e tyre, po! Kështu që, neve na mbetet të punojmë bashkërisht, sepse kështu ia bëjmë ma të lehtë punën projektuesve.

Edhe nëse jemi të ndarë, proceset nuk kemi fuqi t’i ndalim, por t’i vonojmë, po.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE