SC Gjilani solli në Kosovë emrin e njohur, Ylli Shameti, të cilin e mori nga skuadra kampione e Shqipërisë, Kukësi, dhe ardhja e tij bëri bujë në Superligën e Kosovës.
Por, tifozët e Gjilanit ende nuk kanë pasur rastin ta shohin atë në fanellën e Gjilanit, kjo pasi ai u lëndua qysh në ditët e para të stërvitjeve me gjilanasit në stinorin e kaluar.
Shameti ka sqaruar se lëndimin e fundit e ka pësuar në një ndeshje kontrolluese për stinorin pranveror, ku ka lënduar kaviljen dhe ky lëndim do ta mbajë jashtë fushë për një kohë.
“Momentalisht kam dëmtuar kaviljen në ndeshjen miqësore me Vitinë, për arsye të gropës që ndodhet tek pika e penalltisë në fushë. Sa i përket dyshimeve se kam qenë i dëmtuar kur kam ardhur te Gjilani nuk ka diskutim, sepse para se të nënshkruaj kontratë me Gjilanin kam bërë rezonancë për të dy gjunjët tek Sviss Policlinic në Gjilan dhe gjithçka ka qenë OK”, ka thënë Shameti.
Në ndërkohë, lindën dyshimet se Shameti ka zbarkuar i lënduar në Gjilan, por këto i ka mohuar kategorikisht trajneri, Gentjan Mezani.
“Shameti është i vetmi lojtar që i janë bërë kontrollet mjekësore. Nuk besoj se asnjë lojtari tjetër i janë bërë kontrollet aq të detajuara sa atij dhe arsyeja se pse i janë bërë këto kontrolle kanë qenë pikërisht dyshimet që kishim edhe ne për dëmtim të mundshëm”, ka thënë Mezani duke shtuar: “Nga kontrollet që i janë bërë nuk ka rezultuar i dëmtuar dhe prandaj ne si klub kemi firmosur me të”, ka treguar trajneri shqiptar i Gjilanit.
“Dëmtimi i tanishëm nuk ka lidhje me dëmtimin e parë, sepse nga dëmtimi i parë është rikuperuar plotësisht. Ky është një dëmtim në kavilje dhe ky dëmtim ka ardhur nga papërgjegjshmëria e mirëmbajtësve të fushës, pasi në zonën e penalltisë kishte një dëmtim të fushës dhe aty dëmtoi kaviljen. Pra është gjithçka tjetër si dëmtim dhe ne shpresojmë që në harkun e dy javëve ta kemi në fushën e lojës, sepse është një lojtar me eksperiencë që mendoj do të na ndihmojë shumë”, vlerësoi tekniku shqiptar duke folur më pas edhe për kontrollet mjekësore, që i bëjnë klubet tona për lojtarët që vijnë nga jashtë.
“Sa u përket klubeve që nuk i bëjnë vizitat mjekësore para se të firmosin me lojtarë që vijnë gjatë merkatos së verës dhe të dimrit, kjo është diçka që shpresoj në të ardhmen cilido klub të mirorganizohet dhe të kryejë çdo vizitë të mundshme, duke shpenzuar 2 lekë që të mos të humbasë 10 lekë më pas, duke firmosur me një lojtar të dëmtuar që i duhet ta paguajë dhe e dyta që nuk do ta ketë këtë lojtar”, ka përfunduar Gentjan Mezani.