Nën përkujdesjen e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri, është mbajtur sot Akademi përkujtimore me rastin e 17-vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Kryetari i degës, Haziri e ka nisur fjalimin e tij me një reagim të ashpër ndaj pushtetit aktual në Gjilan, të cilët Akademinë përkujtimorë e hoqën me porosi nga kalendari i manifestimit “Flaka e Janarit”.
Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i “Flakës së Janarit”. Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit, – tha Haziri.
Kosova e pavarur dhe e hapur ka qenë kompromis i madh i shqiptarëve në Ballkan, e dizajnuar përmes një administrimi ndërkombëtar në formë të përkohshme dhe me prezencë të përhershme të NATO-s, ka qenë opsion i Ibrahim Rugovës dhe i askujt tjetër. U deshën më pak se dhjetë vjet që për këtë të pajtohen miqtë amerikanë dhe evropianë me këtë opsion të vetëm për të shkaktuar rehati, siguri dhe paqe në Ballkan. Këtë duhet ta besojnë edhe rivalët e tij, të cilët nën rrogoz vazhdojnë të sillën si armiq politikë, që zgjidhja dhe kompromisi që e ka dhënë Ibrahim Rugova është i paprekshëm dhe Republikë të dytë nuk mund të ketë kurrë në Kosovë. Ai i bindi të gjithë për opsionin e tij sepse e ka pasur paqen, falënderimin, mirënjohjen dhe kujdesin për njeriun, familjen dhe popullin e tij. Sot demokracia, sovraniteti dhe dinjiteti, siç i shihte presidenti Rugova, nuk janë të plota. Falënderim, mirënjohje dhe bekim për të gjithë ju që vazhdoni të besoni në politikë të paqes dhe të shtetit, e cila kalon nëpër derën e familjes në LDK, u shpreh Haziri.
Në emër të kryesisë qendrore dhe kryetarit Abdixhiku ka folur zonja Lirije Kajtazi, e cila tha se sot po përkujtohet një figurë komplekse dhe shumë dimensionale të jetësh shoqërore të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, siç ishte Dr. Rugova.
“Përmasat e fjalës vështirë ta përkufizojnë formatin poliedrik të Dr. Ibrahim Rugovës. Aq më pak ky përkushtim i imi përpos që manifeston një përkushtim tonin të përbashkët të përmbledhur dhe të shprehur nga miku i tij dhe i Kosovës, presidenti George Bush duke thënë “SHBA-të kanë humbur një mik të vërtetë”. Ne sot përkujtojmë intelektualin, shkencëtarin, studiuesin e letrave dhe të kulturës shqiptare, diplomatin i cili krijoi miqësi si asnjëherë më parë me vendet demokratike të Evropës dhe SHBA-të, politikanin që krijoji dhe udhëhoqi LDK-në si amë e demokracisë dhe si parti që theu acarin monist”, u shpreh Kajtazi.
Paraprakisht, një delegacion i Degës së LDK-së ka bërë homazhe te busti i Presidentit para selisë së LDK-së në Gjilan, ndërkaq Forumi i Rinisë i LDK-së ka mbajtur një takim ku është diskutuar për figurën e Presidentit Rugova, me një pjesëmarrje të të rinjve nga Gjilani dhe me gjerë. /2LONLINE/