Dikujt po i pengon kërkesa e LDK-së, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Por, po harrojnë se arsyet pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje janë pikërisht për shkak se subjektet aktuale në qeverisje e kanë keqpërdorur votën e popullit, kanë shpikur kauza të rrejshme, kanë dështuar në menaxhim të mirë të vendit dhe nuk janë duke i dashur madje as votuesit e tyre.
Shkruan: Burim Elezi
Theqafja që synojnë t’ia bëjnë vendit edhe më shumë, e krenaria e tepruar me suksese në tema të cilat LDK i ka lënë të gatshme e këta sot mburren me to, si dhe tendenca për ta minimizuar rolin e LDK-së, është për “pa koment”.
Nuk di a janë këta që para do dite mendonin se LDK do të bëhej patericë e tyre. Dhe, thoshin madje se LDK është subjekt politik serioz dhe pse ka dalë lista Srpska nga koalicioni, LDK nuk e dëmton vendin.
Vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje pse Lista Srpska po e kërkon atë, po duhet të shkojë në zgjedhje për shkak të keqmenaxhimit nga Kryeministri, Ministrat dhe 80 zëvendësministrat e tij, edhe pse një armatë e madhe (të cilët na kanë lodhur me gafe) nuk janë duke sjellë asnjë rezultat pozitiv në këtë vend.
Para se dikush të thotë se LDK nuk është forcë politike, le të mendojë pak se subjekti i tij sa deputetë i ka, dhe çfarë force politike është kur u dashtë të e jep Kryeministrin dhe ministritë më të rëndësishme në një koalicion të natës vetëm për të ardhur në pushtet?
Mos të harrojmë se LDK është subjekti më i madh opozitar në Kosovë, dhe pa votat e LDK-së as koalicioni qeverisës e as opozita nuk mund të e kalojnë asnjë ligj në kuvend, pra i gjithë fati i Kuvendit të Kosovës është në duart e LDK-së.
Por, LDK është subjekt shtet-ndërtues dhe serioz, edhe pse janë munduar të e ndalin me çdo kusht, ne vetëm po rritemi. Dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen këtë vit, LDK do të rikthehet në vendin që i takon me 40 deputetë.
Para se të flisni për LDK-në, shikoni skandalet nëpër të cilat po kalojnë subjektet tuaja, skandale me të cilat po e irritoni çdo qytetarë në këtë vend.
LDK është dhe do të mbetet gjithmonë forcë e pakontestueshme politike në Kosovë.