Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e të enjtes, që e ka udhëhequr Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese, përveç që ka vendosur që raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor, raportin financiar për të njëjtën periudhë si dhe raportin e auditimit, t`i shtyjë për të hënën, ka miratuar me disa vërejtje strategjinë e veprimit për fëmijë (2018-2021), bashkë me rregulloren për të drejtat e fëmijëve, vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private të pronarit Reshat Syla në zonën “Gllama”, si dhe vendimin për caktimin e lokacionit për fushën sintetike të futbollit në lokacionin afër Livoçit të Epërm.
Ndërsa, për fushën tjetër, që ishte caktuar të jetë ndërmjet fshatrave Velekincë dhe Livoç i Poshtëm, u vendos që të shtyhet për më vonë, pasi të bëhen konsultime shtesë sa i përket lokacionit.
Sa i përket vendimit për këmbimin e pronës komunale, me pronën private, që u miratuar nga Kuvendi, Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, ka sqaruar se këmbimi bëhet në bazë të planit rregullues urban, ndërkohë që te propozim-vendimi për caktimin e lokacioneve për dy fusha sintetike, ndryshimi me vendimin e mëparshëm, i cili duhet të anulohet në Kuvend, ka të bëjë me kërkesën e FFK-së për rritje të sipërfaqes.
Në Livoç të Epërm, ku është caktuar njëri prej lokacioneve, ka mundësi për rritje të sipërfaqes, ndërkaq në Velekincë është dashur të ndryshohet lokacioni, meqë kjo mundësi nuk ka ekzistuar, ka thënë Berisha.
Në pjesën e pyetjeve të kuvendarëve, këshilltarët Shefik Surdulli, Riza Abdyli, Ibish Ibishi, Arijeta Rexhepi, Xhelal Hajrullahu, Arbëresha Hyseni, Arta Nuhiu, Nevzad Isufi, Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Mimoza Kadriu, Avdyl Aliu, Festa Shabani dhe të tjerë, kanë ngritur çështje të ndryshme dhe kanë marrë përgjigje nga nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli si dhe drejtorët Naser Korça, Selami Xhemajli, Ramiz Ramadani, Valbona Tahiri, Zijadin Maliqi e Nevzad Rushiti.
Sa i përket pyetjes rreth kompanisë “Ecohigjiena”, nënkryetari Ismajli është shprehur optimist se do të gjejnë një zgjidhje për mosmarrëveshjet e deritashme, meqë shumica e paqartësive janë sqaruar tashmë në takimet e fundit me partnerin austriak, ka thënë ai.