Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në edicionin e dytë të Konventës së Prodhuesve të Kosovës, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Duke folur para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta me të cilat përballen ata, e që janë të shumta edhe në numër edhe në lloj, kanë vendosur që të investojnë dhe të punojnë në Kosovë.
“Nga unë si kryeministër dhe nga qeveria që unë drejtoj ju do të keni vëmendjen maksimale, prandaj pres që edhe nga kjo konventë të dilni me rekomandime të cilat ne do t’i kthejmë në veprime konkrete”, deklaroi ai, derisa veçoi se prodhuesit tanë janë edhe shtylla e shoqërisë, jo vetëm e ekonomisë.