Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në e Hapjen e Konferencës “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet” të organizuar nga Kolegji UBT në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se është nder prania e tij sot në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të merrte pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
“Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar Qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, – është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën’’ u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat, në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë. /2LONLINE/