Në vazhdim të tryezës për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të cilën e organizoi Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës në fund të muajit korrik, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm, dhe, deputetja Fitore Pacolli, priti në takim, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shapi Kamberi, dhe, shefin e kabinetit të tij, Rahim Salihu.
Kurti e informoi Kamberin rreth diskutimeve që kishte Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ai e konsideroi joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të Presidentit Thaçi, meqenëse korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra.
Kurti tha se respektimi i referendumit të vitit 1992 është zgjidhja e vetme e drejtë duke shtuar se Serbia duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë për dëmet e shumta të luftës dhe okupimit.
Të dy palët u pajtuan për kontakte, komunikim, takime e bashkëpunim të vazhdueshëm.