Stubëll, Viti
– Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën përshëndetëse në hapje të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, që u mbajt në fshatin Stubëll e Epërme, të Komunës së Vitisë.Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” organizohet për 32 vjet me radhë, si aktivitet përkujtimor për Mikel Tarabulluzin, klerikun dhe mësuesin, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll.
Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.
“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë.
Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, tha ai.
Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
“Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve”, tha ai. /2LONLINE.com/