Libri “Kujtime Jete…”, i autorit Ibrahim S. Arifi, është botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, 2017. Redaktor dhe lektor Femi Halimi. Faqe. 198.
Ky libër nuk është shkruar të shfaqë forma artistiko-letrare, por më shumë është konceptuar si një libër që rrëfen në formë autobiografike, itinerarin personal të autorit së bashku me familjen, shoqërinë dhe rrethin e tij, nëpër kohë, e sidomos në kohërat e murrme kurë ishte vështirë të jesh një shqiptar i mirë, e autori ja kishte arritur edhe të jetë një i tillë, por edhe të veprojë duke ia kushtuar edhe tërë jetën të qenit shqiptar dhe të dalurit zot asaj!
Por, mjerisht autori është i dëshpëruar thellë me situatën e cila e ka kaplua Kosovën e pasluftes dhe edhe kjo është një nga çështjet të cilat autori i ka përmendë në këtë libër së bashku me të gjitha peripecitë, vuajtjet nëpër burgje dhe flijimet e anëtarëve të familjes së tij, për lirinë e cila nuk erdhi ashtu siç e dëshiroi autori, por edhe shumë kush nga kjo Kosova jonë e stërvuajtur.
Përmbajtja
Lexuesi që shfleton faqet e këtij libri autobiografik, shkruar nga një autori i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, do të njihet më së për afërmi për shumë ngjarje nëpër të cilat ka kaluar familja e tij e ngushtë dhe e gjerë dhe mbarë populli shqiptarë, për të qëndruar stoik në këtë rrugëtim për çështje kombi e atdheu.
Përkundër një rruge të vështirë e të rëndë, ata qëndruan përherë vertikal, duke i treguar armikut se përkundër çfarëdo zullumi të tij, ata nuk do të përkulen asnjëherë, përkundër peripecive, vuajtjet nëpër burgje dhe flijimeve, liria do të vije, sepse për të është derdhur dhe do të derdhet gjak, duke bërë kështu që armiku të gjunjëzohet para titanëve të kësaj familjeve, por edhe familjeve tjera patriotike, që atdheun e kombin e kishin mbi të gjitha.
Autori nis librin me të dhëna për familjen e tij, për kthesën e madhe të kombit të vitit 1968, për fytyrën e vërtetë të pushteti të asaj kohe, për angazhimet e familjes së tij të ngushtë e të gjerë, për ndjekjet sistematike që ua bënte pushteti, për katrahurat nëpër burgje që kalonin familjarët e tij dhe shpirti patriotik i këtij vendi, që vuajtën skajshmërisht nga një pushtet çnjerëzor, por nuk u thyen asnjëherë.
Po ashtu ka shumë faqe përkujtimesh e përmbledhjesh të ngjarjeve konkrete të asaj kohe, por edhe për ngjarjet e pasluftës, në liri, deri në ditën e sotshme, ku atdheu është i lirë, por jo një liri e vërtetë, vendi është i pavarur por ajo nëpërkëmbët dhe populli nuk i gëzon të drejtat e tij, për shkak të sojit të pushtetarëve të pasluftës, që punuan për veten e tyre e në kurriz të popullit.
Po ashtu dokumente të shumta janë pjesë e këtij libri që ka 198 faqe.
Për autorin
Ibrahim Arifi, autor i këtij libri, është nga familja atdhetare në zë, Arifi , nga Ranatoci. Kjo familje ishte e përndjekur gjithmonë nga pushteti. Pushteti jugosllav e kishte gjithë familjen në vëzhgim dhe ndaj saj merrte gjithnjë masa të jashtëzakonshme politike e sociale.
Presione dhe shantazhet ndaj anëtarëve të kësaj familje, pushteti nuk i ndalte asnjëherë me ndalesa politike e duke i mbajtur në një gjendje të rëndë sociale e shoqërore.
Autori i këtij libri, në vitin 1970 kishte dalë në Zvicër ku jetoi e veproi deri në dalje në pension.
Vëllezërit e tij, Milazimi, Hetemi e Ilmiu u burgosën disa herë nga regjimi jugosllav duke vuajtur disa vite burgje, duke rënduar jetën e familjeve por falë edhe Ibrahimit, që punonte në mërgim, familja qëndroi stoikisht dhe kaloi të gjitha peripecitë.
Përndryshe autori i këtij libri edhe në mërgim nuk e ndali asnjëherë aktiviteti e tij atdhetar, duke qenë edhe pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Bashkë edhe me mërgimtarë të tjerë, ishin aktiv për çështje kombëtare duke organizuar protesta e demonstrata, si në Zvicër po ashtu edhe në vende tjera perëndimore, kundër pushtuesit jugosllavë, e më pas edhe atij serb.
Ibrahim Arifi ishte edhe anëtar i Komitetit për Informim Ndërkombëtar për Kosovën, me seli në Gjenevë, të cilën e organizonte asokohe Xhafer Shatri. Më pas, kur u formua Qeveria e Kosovës, me propozimin e Adem Demaçit, anëtarët e këtij Komiteti kaluan në në organet gjegjëse të Qeverisë së Kosovë në ekzil, ku ai u zgjodh kryetar i Këshillit Nacional për Pajtimin e Gjaqeve.
Përndryshe, përveç aktivitetit të tij në perëndim, ai bashkë me vëllezërit dhe fëmijët e tij, asnjëherë nuk u ndalë por veproi edhe në Kosovë, duke qenë pjesë e veprimtarisë atdhetare, sillnin e shpërndanin materiale propagandistike, ndikonin fuqishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare tek njerëzit në Kosovë e mori pjesë edhe në organizime të tjera me interes kombëtar.
Ndërsa, në Zvicër nuk e ndali as aktivitetin e tij human, duke qenë pjesë e aksioneve humanitare, për të ndihmuar njerëz në nevojë e sidomos në grumbullimin e mjeteve për shërimin e të plagosurve nga forcat okupuese serbe, që ishin larguar nga Kosova e ishin strehuar në Zvicër. Për të gjitha këto ka dëshmi e fakte, që përfshihen edhe në librin “Kujtime Jete…”.