Në 5 vjetorin e themelimit dhe funksionimit, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka mbajtur Kuvendin e Punës, e që njëkohësishtë ishte edhe Kuvend Zgjedhor.
Pjesëmarrës të Kuvendit Zgjedhor ishin bizneset anëtare me të cilat OAK bashkëpunon tash e pesë vite.
Kryetari OAK-së, Skënder Krasniqi, në fjalën e rastit, theksoi që një ndër arsyet kryesore të themelimit të odës ishte adresimi i problemeve me të cilat bizneset po përballeshin vazhdimisht, por që të njëjtat nuk adresoheshin në mënyrë të duhur.
Krasniqi ka përmendur edhe disa ndër sfidat që kanë hasur gjatë rrugëtimit. “Janë një vit përgatitje dhe më shumë se pesë vite punë e palodhshme që të jemi këtu ku jemi tani”, tha Krasniqi.
Gjithashtu, Krasniqi veçoi edhe rritjen graduale të odës si dhe besimin e krijuar nga bizneset pas takimeve dhe vizitave direkte në teren, me qëllim të njohjes me problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset çdo ditë si dhe identifikimin e alternativave për zgjidhje.
“OAK ka lobuar drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e mënyrës së të bërit biznes, e kur ndonjëherë u shteruan përpjekjet me fjalë, organizuam edhe protestë. Gjatë këtyre viteve kemi marr pjesë në qindra debate televizive, konferenca dhe prononcime, duke dhënë mendimin tonë ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe propozuar ndryshimin e tyre”, tha Krasniqi.
Krasniqi theksoi se me punën dhe angazhimin e palodhshëm, qëllimet e bizneseve që më herët ishin të pamundura të realizohen, kanë filluar të bëhen të mundura.
“Kthyem besimin tek bizneset se ka mundësi që ta bëjmë ndryshimin, një barrë e rëndë por e domosdoshme e jona. Ne që mbajmë shtetin me buxhet dhe popullin me punë, duhet ta marrim edhe përgjegjësinë t’i tregojmë politikanëve që vijnë pa përvojë dhe marrin pozita të larta si duhet të jenë ligjet dhe mundësitë e të bërit biznes, kjo duke marrë parasysh edhe përvojat nga shtetet e tjera”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi ka falënderuar stafin dhe bizneset të cilat në janë bërë pjesë e odës nga fillimi dhe të tjerat që janë bashkangjitur me vonë në kauzën e përbashkët dhe për kontributin që kanë dhënë dhe janë duke dhënë për të qenë këtu ku është tani oda.
Udhëheqja e mbledhjes së Kuvendit u bë nga anëtari i bordit Hamdi Malushaj dhe Koordinatorja e OAK-së Qëndresa Ibrahimi, ndërsa sekretari i bordit, Diamant Elshani, ka rikujtuar ditët e para të themelimit të odës, duke prezentuar disa nga aktivitetet e realizuara ndër vite, çështjet e trajtuara, bashkëpunimet, prioritetet e raportimet financiare.
“Para pesë viteve ka qenë një ëndërr e cila është menduar prej neve që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u realizuar, por që me mund, sakrificë dhe një vullnet jashtëzakonisht të madh tonin ju kemi bashkangjitur këtij treni të cilit vazhdimisht ju kanë shtuar vagonët dhe secili prej nesh ka pas mundësi të jetë pjesë e tij dhe të prezantoj idetë e veta “, tha Elshani.
Më tutje Elshani theksoi se Oda e Afarizmit të Kosovës është krijuar me qëllim që të përfaqësoj interesat e bizneseve, të komunikoj dhe të ofroj përkrahje në raport me institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për të zhvilluar ekonomikisht vendin, për të qenë tërheqës fillimisht për investitorët e brendshëm dhe pastaj për ata të huaj.
Me rastin e mbajtjes së këtij kuvendi pesë vjeçar u prezantuan dhe u votuan raporti i punës për periudhën pesë vjeçare, u votuan dhe miratuan Plotësim Ndryshimi i Statutit të OAK-së, Raporti Financiar dhe Planifikimi i buxhetit për vitin 2022 dhe Strategjia e Punës 2022-2027. /2LONLINE/