Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar se masat e vendosura nga Qeveria aktuale e Kosovës për të hyrë brenda territorit, janë duke vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes për qytetarët e vendit që e drejton ajo.
Sinani ka ftuar qeverinë që ta rishqyrtojë këtë vendim, pasi që sipas saj, ndryshimi i këtyre masave mund të ndikojë në lehtësimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve nga kjo komunë.
“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj”, ka shkruar Sinani në llogarinë e saj në Facebook. “Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, ka përfunduar ajo.