Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Kosovë.
Kryetarja Osmani e uroi Apostolovën për punën e shkëlqyer si përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe për koordinimin efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së.
Kryetarja Osmani pohoi se Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në aspiratën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas kryetares Osmani, gjatë misionit diplomatik të Apostolovës, prezenca e BE-së është ndjerë pothuajse në të gjitha fushat dhe asistenca nga BE-ja ka ndihmuar në adresimin e problematikave të ndryshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës në baza të përditshme. Në mesin e tyre, Kryetarja e Osmani ka vlerësuar në veçanti edhe angazhimin aktiv të Apostolovës për fuqizimin e grave dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në fund, kryetarja Osmani i uroi Apostolovës suksese në angazhimin e mëtejmë dhe e siguroi atë që institucionet e Kosovës do të jenë mikpritëse ndaj shefes së re të Zyrës së BE-së në Kosovë për të vazhduar bashkëpunimin me BE-në.